Lidhje

Partia Republikane në kërkim të votave të hispanikëve në Teksas 


Në zgjedhjet për Kongresin të këtij viti, Partia Republikane po përpiqet të zgjerojë mbështetjen në radhët e komunitetit të emigrantëve që kanë ardhur nga Amerika latine. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Christian von Preysing-Barry, njofton nga Teksasi ku republikanët fituan këtë vit një vend në Dhomën e Përfaqësuesve që mbahej prej kohësh nga Partia Demokrate.

Partia Republikane në kërkim të votave të hispanikëve në Teksas
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Në qytetet e vogla në mbarë Luginën e Rio Grandes në Teksas, politikanët po bëjnë fushatë për të marrë votat e komunitetit të emigrantëve që kanë ardhur nga Amerika latine, të cilët kanë favorizuar tradicionalisht Partinë Demokrate. Në një tubim republikan në qytetin McAllen, kandidatja për në Kongres, Monica De La Cruz mbron kauzën e lirisë dhe familjes.

“Ne do të luftojmë për bashkinë Hidalgo. Do të luftojmë për shtetin e Teksasit. Dhe ne do të luftojmë për të rimarrë vendin tonë”, thotë ajo.

Alma Perez, drejtuese e organizatës Republikanët e Rinj të Bashkisë Hidalgo, thotë se partia e saj po fiton terren mes këtij komuniteti.

“Ka shumë njerëz që janë të irrituar me atë që po ndodh e ndaj duan ndryshim, ashtu siç dua edhe unë”, thotë ajo.

Votuesi Adrian Cantu thotë se demokratët po dështojnë me ekonominë.

“Unë si 19 vjeçar dhe brezi im, po mashtrohemi nga mediat kombëtare, dhe demokratët po na ushqejnë gënjeshtra. Kur mendon për shembull për inflacionin... apo që shumë persona të moshës sime që nuk kanë punë me të ardhura të mira”, thotë ai.

Profesori i shkencave politike Richard Longoria thotë se tematikat sociale republikane po sigurojnë mbështetjen e komunitetit të emigrantëve që kanë ardhur nga Amerika latine.

“Mendoj se ka patur gjithnjë një element konservator mes këtij komuniteti. Por, mendoj se në vitet e fundit Partia Republikane ka investuar vërtet që t’i bëjë njerëzit të votojnë për ta”, thotë ai.

Votat e komunitetit të emigrantëve që kanë ardhur nga Amerika latine ndihmuan për zgjedhjen më herët këtë vit, të ligjvënëses republikane Mayra Flores. Kreu i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, e quajti historik këtë zhvillim.

“Mayra është ligjvënësja e parë e lindur në Meksikë në historinë amerikane. I thashë sot gjatë seancës plenare, ndërsa i mbaja Biblën mbi të cilën bëri betimin: Kaq shumë vajza latine që emigruan në Amerikë sapo panë se mund të arrijnë gjithçka”, tha ai.

Kreu i Partisë Demokrate në bashkinë Cameron, Jared Hockema, thotë se fitorja e zonjës Flores ishte për shkak të fondeve të ardhura nga jashtë kësaj zone.

“Ajo shpenzoi rreth 1 milion dollarë në një muaj për të marrë atë rezultat. Janë shumë fonde për një periudhë të shkurtër kohore”, thotë ai.

Duke qenë se zonja Flores fitoi zgjedhje të parakohshme për të plotësuar një vakancë, asaj do t’i duhet të konkurojë sërish në nëntor. Zoti Hockema thotë se demokratët kanë besimin se do ta rimarrin vendin e ligjvënësit, pjesërisht për shkak se zonja Flores fitoi me rezultat të ngushtë.

“Vështirësohemi ndonjëherë që t’i bëjmë njerëzit të dalin të votojnë. Prandaj përqëndrohemi tek përpjekjet për ta bërë votimin më të lehtë. Prandaj përqëndrohemi kaq shumë tek bisedat me votuesit, tek qarkullimi i informacionit dhe që të sigurohemi se kanë dijeni për zgjedhjet dhe që të dalin të votojnë”, thotë zoti Hockema.

Në një garë të ngushtë për Kongresin në zgjedhjet e 8 nëntorit, diferencën mund ta bëjnë votat që partitë politike do të fitojnë përtej elektoratit të tyre tradicional.

XS
SM
MD
LG