Lidhje

SHBA, punonjësit elektoralë përgatiten për tensione të mundshme gjatë zgjedhjeve për në Kongres


Amerika po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme për Kongres që mbahen më 8 nëntor, ndërsa punonjësit e qendrave të votimit në mbarë vendin po bëhen gati për probleme të mundshme që mund të hasin në një mjedis të polarizuar dhe epokë të keqinformimit. Situata është më e tensionuar në shtete si Uiskonsin, ku gara është më e ashpër. Agjencia e lajmeve Associated Press ndoqi nga afër trajnimin e administratës zgjedhore në qytetin Milluaki. Komisioni Zgjedhor në këtë qytet po përgatit punonjësit se si të tejkalojnë problemet e mundshme në ditën e votimit.

SHBA, Punonjësit elektoralë përgatiten për tensione të mundshme gjatë zgjedhjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Zyrtarët e lartë zgjedhorë në Milluaki anketuan 20 punonjës të qendrave të votimit dhe diskutuan me ta për mjedisin e polarizuar me të cilin mund të përballen javën e ardhshme më 8 nëntor, kur votuesit amerikanë të zgjedhin anëtarët e rinj të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Puna e tyre pritet të jetë në qendër të vëmendjes, më shumë se çdo herë.

“Kush është i shqetësuar për probleme të mundshme?”, pyet Claire Woodall-Vogg, kryetare e Komisionit Zgjedhor në Milluaki.

“Kush ka lexuar ose dëgjuar lajmet dhe është pak në stres? Unë jam”, thotë ajo duke ngritur dorën.

Të njëjtin mendim ndajnë edhe disa punonjës të tjerë.

"Kam frikë se do të mblidhen njerëz jashtë qendrave të votimit. Njerëz të frikshëm që mund të jenë të armatosur, sepse këtu lejohet mbajtja e armëve, çka mund të frikësojë emigrantët që sapo kanë marrë shetësinë”, thotë Jaime Alvarado, kryeinspektor i zgjedhjeve.

"Unë nuk frikësohem. Jam nga ata që zgjidhin probleme, prandaj do ta qetësojë situatën dhe do t’i thërras organet përgjegjëse nëse është e nevojshme”, thotë Melody Villanueva, kryeinspektore e zgjedhjeve.

Këta nuk janë punonjësit e vetëm që kanë shqetësime. Zyrtarë zgjedhorë në mbarë vendin po përgatiten se si të përballen me vëzhguesit e partive politike, që mund të jenë ndikuar nga pretendimet e rreme për mashtrime në zgjedhjet e vitit 2020 të përhapura nga ish-presidenti Donald Trump dhe të tjerë, edhe pasi u bë rinumërimi i fletëve të votimit dhe të gjitha ankesat ligjore u hodhën poshtë nga gjykatat.

Tensionet janë më të larta në disa shtete ku gara është më e ashpër si në Uiskonsin, ku ish-presidenti Trump dhe të tjerë, u ankuan menjëherë për parregullsi, kur votat e Milluakit, ndihmuan fitoren e ngushtë të Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Rinumërimi i kërkuar nga zoti Trump, konfirmoi fitoren e presidentit Biden.

Zyrtarët zgjedhorë janë të shqetësuar nga mundësia që persona që mbështesin teori konspirative të regjistrohen për të punuar si vëzhgues zgjedhor, mes të cilëve edhe pjesëtarë të grupeve që kanë përhapur gënjeshtra e akuza për vëzhguesit e zgjedhjeve të 2020-ës.

Çdo procedurë kontrollohet nga dy vëzhgues. Dy inspektorë ndajnë fletëvotimet, ndërsa kryeinspektori është në krye të një qendre votimi. Nëse ata vërejnë se dikush nuk po zbaton protokollin pushohet menjëherë nga puna”, thotë drejtorja e Komisionit Zgjedhor në Milluaki, Claire Woodall-Vogg.

Menaxherët e qendrave të votimit paguhen 325 dollarë për punën e tyre në ditën e zgjedhjeve, ndërsa ata që nuk kanë rol menaxhues nga 220 dollarë. Puna e tyre është jetike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në Uiskonsin punonjësit zgjedhorë trajnohen një herë në dy vjet, por këtë vit Milluaki po ofron trajnime shtesë, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, duke përfshirë video informuese dhe trajnime njëorëshe të përqëndruara në tema konkrete, si regjistrimi i votuesve.

Disa vëzhgues zgjedhorë thonë se presin të shohin konfrontime, por shprehen të gatshëm për çdo lloj situate.

“Mendoj se mund të ndodhë”, thotë 70-vjeçarja Andrea Mebhard, e cila ka një përvojë mbi 10 vjeçare si punonjëse e një qendre votimi. Megjithatë ajo është e bindur se kjo do nuk do ta pengojë mbarëvajtjen e procesit në qendrën ku ajo punon.

XS
SM
MD
LG