Lidhje

SHBA: Hakerët rusë përgjegjës për shumicën e sulmeve kibernetike më 2021


A man holds a laptop computer as cyber code is projected on him in this photo illustration picture created May 13, 2017.

Një program kompjuterik i pagesave i krijuar nga hakerët rusë është përdorur në tre të katërtat e të gjitha skemave të mashtrimit të raportuara nga një agjenci amerikane e krimit financiar në gjysmën e dytë të vitit 2021, thuhet në një analizë të Departamentit të Thesarit të publikuar të martën.

Në analizën e publikuar në përgjigje të rritjes së numrit dhe ashpërsisë së sulmeve me programe kompjuterike kundër infrastrukturës kritike në Shtetet e Bashkuara që nga fundi i vitit 2020, Rrjeti i Policisë amerikane për Krimet Financiare, FinCEN, tha se kishte marrë 1,489 dosje të këtyre llojeve të sulmeve me vlerë gati 1.2 miliardë dollarë në vitin 2021, një rritje prej 188% krahasuar me vitin paraprak.

Nga 793 incidente të sulmeve me programet “ransomware” të raportuara nga FinCEN në gjysmën e dytë të vitit 2021, 75% "kishin një lidhje me Rusinë, përfaqësuesit e saj ose personat që vepronin në emër të saj", thuhet në raport.

Uashingtoni mban këtë javë një takimme zyrtarë nga 36 vende dhe Bashkimi Evropian, si dhe 13 kompani globale për të trajtuar kërcënimin në rritje të sulmeve kibernetike financiare dhe krimeve të tjera kibernetike, duke përfshirë përdorimin e paligjshëm të kriptomonedhave.

"Ne mund të zgjedhim një qasje krejtësisht ndryshe për sfidën e sulmeve me programet ‘ransomware’, dhe në disa raste, me mjete krejtësisht të ndryshme, por ne e dimë se këto lloje sulmesh kibernetike mbeten një kërcënim kritik në të gjithë globin dhe vazhdon të jenë fitimprurëse për grupet kriminale”, u tha zyrtarëve Zëvendës Sekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

Programet “ransomware” mundësojnë bllokimin e të dhënave të viktimave, dhe më pas hakerët u ofrojnë atyre një fjalëkalim për zhbllokimin e të dhënave në këmbim të pagesave në kriptomonedha që mund të arrijnë vlerën e miliona dollarëve.

Një zyrtar amerikan të martën tha se Departamenti i Thesarit muajin e kaluar zmbrapsi sulmet kibernetike nga një grup hakerësh pro-rusë, duke parandaluar përpjekjen e tyre për ndërhyrje, një shembull, sipas tij, i një qasjeje më të fortë të departamentit ndaj sigurisë kibernetike të sistemit financiar.

XS
SM
MD
LG