Lidhje

Serbia thotë se dronët vëzhguan trupat e saj afër kufirit me Kosovën - Prishtina i cilëson pretekst për destabilizim


Autoritetet serbe thanë se kanë ngritur të martën avionët ushtarak pasi, siç u tha, dronë vëzhgues u panë në afërsi të kufirit të Serbisë me Kosovën, ndërsa autoritetet në Prishtinë i cilësuan pretendime të pavërteta që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Kryeministrja serbë, Ana Bërnabiç i tha Radiotelevizionit të Serbisë se “fluturake pa pilot kanë vëzhguar dhe regjistruar në zonën tokësore të sigurisë dhe dy kazerma të ushtrisë serbe dhe presidenti (Aleksandër Vuçiç) ka urdhëruar forcimin e sigurisë ajrore”, duke ju referuar njoftimeve për angazhimin e avionëve Mig-29.

“Nëse përsëritet një gjë e tillë ne do ta rrezojmë çdo fluturake të tillë”, tha kryeministrja serbe.

Nuk pati ndonjë reagim nga forcat paqeruajtëse të NATO-s që kanë shtuar kontrollet në veriun e Kosovës për të “ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt”.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, në një postim në rrjetet sociale hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve serbe duke theksuar se ato synojnë krijimin e një “preteksti për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”.

Njoftimet e tilla u bënë pak kohë pasi u tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë në ditën kur autoritetet filluan zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për të paralajmëruar qytetarët serbë në veriun e Kosovës për afatet e përcaktuara për ndërrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Paralajmërimet filluan pavarësisht thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që Kosova të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave, një çështje që në të kaluarën ka nxitur tensione të larta me Serbinë, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Të dyja vendet janë përfshirë në një proces të gjatë bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që është kusht për përparimin drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar kohët e fundit përpjekjeve për një marrëveshje mes palëve duke kërkuar paparim në proces në dritën e shqetësimeve se situata rreth luftës në Ukrainë dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë mund t'i përkeqësojnë gjërat në terren.

Aktualisht të dyja palët janë duke e shqyrtuar larg syve të opinionit një propozim franko-gjerman të mbështetur nga Uashingtoni për një marrëveshje, por hollësitë ende nuk janë bërë publike.

XS
SM
MD
LG