Lidhje

SHBA-të do të përpiqen të heqin Iranin nga Komisioni i OKB-së për Statusin e Grave


Kombet e Bashkuara, 2 nëntor (Reuters) SHBA-të do të përpiqen të heqin Iranin nga Komisioni i OKB-së për Statusin e Grave (CSW), një organizëm prej 45 anëtarësh, për shkak të mohimit nga qeveria të të drejtave të grave dhe shtypjes brutale të protestave tha të mërkurën nënpresidentja amerikane Kamala Harris.

Irani sapo ka filluar një mandat katërvjeçar në komision, i cili mblidhet çdo vit në mars dhe synon të mbështesë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

"Shtetet e Bashkuara besojnë se asnjë vend që abuzon sistematikisht me drejtat e grave dhe vajzave nuk duhet të luajë një rol në ndonjë organ ndërkombëtar ose të Kombeve të Bashkuara që ka si detyrë mbrojtjen e të njëjta të drejtave", tha zonjë Harris në një deklaratë.

Irani është përfshirë nga protestat që nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin muajin e kaluar. Trazirat janë kthyer në një revoltë popullore që përfshijnë iranianë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, duke paraqitur një nga sfidat më të guximshme për udhëheqjen e vendit, që nga revolucioni i vitit 1979.

Irani ka fajësuar për trazirat ata që i quan armiqtë të huaj dhe agjentët e tyre.

"Irani ka demonstruar përmes mohimit të të drejtave të grave dhe shtypjes brutale ndaj popullit të vet se nuk e meriton të shërbejë në këtë Komision", tha zonja Harris.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të mbajnë një takim jozyrtar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën, duke vënë në qendër të vëmendjes protestat në Iran të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Aminit.

Takimi synon të gjejë mënyra për të mbështetur procese hetimore të besueshme dhe të pavarura për abuzimet nga ana e Iranit me të drejtat e njeriut.

Laureatja iraniane e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi dhe aktorja dhe aktivistja me origjinë iraniane, Nazanin Boniadi do të informojnë në mbledhje.

Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij për keqpërdorim të platformës së tyre të OKB-së "për të çuar përpara axhendën e tyre politike" dhe u bëri thirrje vendeve të mos marrin pjesë në takim.

"SHBA nuk ka asnjë shqetësim të vërtetë dhe të drejtë për situatën e të drejtave të njeriut në Iran apo gjetkë", shkroi ambasadori i Iranit në OKB Amir Saeid Iravani në letrën drejtuar vendeve anëtare të OKB-së.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi përpjekjen e SHBA-ve për ta hequr atë nga Komisioni i OKB-së për Statusin e Grave.

XS
SM
MD
LG