Lidhje

Ish-kryeministri i Pakistanit i mbijeton atentatit; mbetet i plagosur


Imran Khan duke folur gjatë protestave
Imran Khan duke folur gjatë protestave

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, u plagos të enjten gjatë një sulmi që duket se ishte atentat, ndërsa ai po drejtonte marshimin kundër qeverisë në Islamabad.

Udhëheqësi populist 70-vjeçar i partisë opozitare të Pakistanit Tehreek-e-Insaf (PTI) u godit nga të paktën një plumb në këmbën e djathtë, konfirmoi për Zërin e Amerikës ndihmësi i tij i lartë Rauf Hassan.

Sulmi me armë në qytetin Wazirabad, në provincën Punjab, la të paktën një person të vdekur dhe 14 të tjerë të plagosur, përfshirë vetë ish-kryeministrin.

Zoti Khan u transportua drejt një spitali në Lahore, kryeqyteti i rajonit Punjab, rreth 150 kilometra nga vendi i sulmit, ku mjekët thanë se ai ishte në një gjendje të qëndrueshme, njoftuan ndihmësat e tij.

Pamjet filmike treguan një person të armatosur që qëllonte nga toka drejt zotit Khan, i cili gjendej mbi një kamion të modifikuar me qëllim që të drejtonte marshimin e protestës.

Dëshmitarët thanë se një pjesëmarrës u përpoq me shpejtësi t’i kundërvihej sulmuesit ndërsa ai ishte ende duke qëlluar me armën e tij automatike dhe goditi për vdekje një pjesëmarrës në marshim. Policia më vonë ndaloi autorin e dyshuar. Në një regjistrim që iu paraqit si rrëfim më vonë gazetarëve, i dyshuari tha se ai veproi i vetëm dhe se misioni i tij i vetëm ishte të vriste ish-Kryeministrin Khan për shkak se "mashtroi" publikun.

Drejtuesit e PTI-së vunë në dyshim megjithatë identitetin e të dyshuarit të ndaluar, si dhe rrëfimin e tij të regjistruar me kamera, duke thënë se ishte një përpjekje për të mbuluar komplotin e atentatit dhe se kishte më shumë se një sulmues. Policia lokale më vonë konfirmoi se kishte dy sulmues dhe se po punohej për arrestimin e personit të dytë.

“Ishte një atentat i mirëplanifikuar ndaj Imran Khanit; vrasësi planifikoi të vriste Imran Khanin dhe udhëheqjen e PTI-së”, shkruajti në Twitter Chaudhry Fawad Hussain, një zyrtar kryesor i partisë së zotit Khan. Ai tha se “pati breshëri nga armë automatike” dhe se eprori i tij “mezi arriti të shpëtojë”.

Faisal Javed, një bashkëpunëtor i afërt i zotit Khan dhe anëtar i Senatit, dhoma e lartë e parlamentit, ishte në mesin e të plagosurve. Ai gjithashtu konfirmoi se pati viktima, ndërsa fliste me gazetarët jashtë një spitali lokal me rrobat e tij të njollosura me gjak.

Sulmi i së enjtes zemëroi mbështetësit e zoti Khan, të cilët dolën në rrugët e qyteteve kryesore të Pakistanit në shenjë proteste ndaj tentativës për vrasjen e tij. Demonstratat vazhduan edhe pas mesnatës.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara "dënojnë fuqishëm" sulmin ndaj zotit Khan. Ai i uroi politikanit pakistanez dhe të tjerëve shërim të shpejtë, ndërsa i shprehu ngushëllime familjes së personit që u vra.

"Dhuna nuk ka vend në politikë dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë larg dhunës, përndjekjes dhe frikësimit. Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara ndaj një Pakistani demokratik dhe paqësor dhe ne qëndrojmë me popullin pakistanez," tha Sekretari Blinken.

XS
SM
MD
LG