Lidhje

Megjithë shqetësimet, amerikanët votojnë pa probleme madhore në zgjedhje


Punonjësit zgjedhorë duke skanuar fletët e votimit në Filadelfia (8 nëntor 2022)

Amerikanët votuan pa probleme madhore të martën në zgjedhjet e mesmandatit që morën vëmendje të lartë pas dy vitesh pretendimesh dhe teorish konspirative për mënyrën se si hidhen dhe numërohen votat.

Qendrat e para të votimit filluan të mbyllen, fillimisht në orën 18:00 në shtetin Indijana dhe në shtetin fqinj Kentaki, për t'u pasuar nga qendrat e votimit që filluan të mbyllen në orën 19:00 në shtetet Nju Hempshër, Vermont, Virxhinia, Karolina e Jugut, Xhorxhia dhe Florida, ndërsa ende vazhdonte votimi në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara.

Në një nga garat kryesore, atë për guvernatorin e Floridas, fitoi me lehtësi rizgjedhjen Guvernatori republikan Ron DeSantis. Disa republikanë po e nxisin zotin DeSantis të kandidojë përballë ish-Presidentit Donald Trump për nominimin republikan për të kandiduar për president në vitin 2024 dhe ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për në Shtëpinë e Bardhë.

Ish-Presidenti Trump, tashmë banor i Floridas, tha se votoi për zotin DeSantis të martën në zgjedhjet për guvernator, por ai e ka nënçmuar publikisht një kandidim të mundshëm të zotit DeSantis për president. Zoti Trump ka sinjalizuar për mbështetësit e tij në tubime gjatë ditëve të fundit, se synon, ndoshta që javën e ardhshme, të shpallë rikandidimin për president në vitin 2024.

Në disa gara kryesore për në Kongres, rezultatet nuk ishin ende të qarta.

Në qendrat e votimit në mbarë vendin nuk u raportuan probleme të gjera me fletët e votimit, me radhë të gjata pritjeje apo me frikësim të votuesve, megjithëse pati probleme tipike në disa pika, si në çdo ditë zgjedhjesh.

Punonjësit zgjedhorë duke përpunuar fletët e votimit me postë në Detroit, Miçigan (8 nëntor 2022)
Punonjësit zgjedhorë duke përpunuar fletët e votimit me postë në Detroit, Miçigan (8 nëntor 2022)

Një nga situatat mori më shumë vëmendje. Makineritë që përpilojnë tabulatet zgjedhore patën defekt në 25% të qendrave të votimit në qarkun më të populluar të shtetit Arizona, në qarkun Maricopa ku përfshihet edhe kryeqyteti Phoenix. Megjithëse zyrtarët zgjedhorë siguruan publikun se do të numërohej çdo votë në qarkun Maricopa, problemi shkaktoi një pakënaqësi tek republikanët, në një shtet ku zgjedhjet për guvernator dhe për përfaqësuesin në Senat pritet të jenë me rezultat të ngushtë dhe ku skepticizmi për sistemet zgjedhore ka zënë vend në radhët e republikanëve që nga viti 2020.

Gjetiu, në disa qendra votimi në Karolinën e Veriut pati vonesa në çelje pasi punonjësit u paraqitën me vonesë dhe zyrtarët zgjedhorë vendosën të zgjasin orarin e votimit. Në një qark të Pensilvanisë, qendrat e votimit patën vështirësi të siguronin furnizimin e mjaftueshëm me fletë votimi.

Zyrtarët zgjedhorë përgatisin procesin e skanimit të votave të ardhura me postë (Florida, 8 nëntor 2022)
Zyrtarët zgjedhorë përgatisin procesin e skanimit të votave të ardhura me postë (Florida, 8 nëntor 2022)

Ekspertët e votimit thanë se lloji dhe numri i problemeve të hasura nga votuesit nuk ishin të pazakonta.

Sidoqoftë, problemet me makineritë e tabulimit të votave në qarkun Maricopa shkaktuan kritika në mediat sociale, dhe shtynë kandidaten republikane për guvernatore Kari Lake, të shprehet pasi votoi vetë se ndjehej e turpëruar nga Arizona. Përfaqësuesit e saj dhe të kandidatit republikan për në Senat, Blake Masters, iu bashkuan zyrtarëve të Komitetit Kombëtar Republikan për të paraqitur një kërkesë emergjence për të zgjatur orarin e votimit në qarkun Maricopa.

"Kemi dhjetëra juristë dhe mijëra vullnetarë në terren që po punojnë për të zgjidhur këtë çështje dhe për t'u siguruar se votuesit në Arizona do të kenë shansin që t'i bëjnë zërat e tyre të dëgjohen", u shpreh në një deklaratë kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel.

Një zëdhënëse e departamentit të zgjedhjeve në këtë shtet tha se problemi ishte i vogël.

“Votuesit kanë opsione”, tha zëdhënësja Megan Gilbertson. “Mund të presin që ta vendosin vetë votën e tyre në një makinë tabulimi që po funksionon; mund ta lënë në një kuti të sigurtë; ose, mund të shkojnë në një tjetër qendër votimi nëse nuk dëshirojnë të presin”.

Makineritë e tabulimit të votave në qarkun Maricopa
Makineritë e tabulimit të votave në qarkun Maricopa

Deri pasdite, gati gjysma e 232 qendra të votimit në këtë qark raportuan se nuk pati radhë pritjeje. Pritja më e gjatë ishte rreth një orë në një qendër tregtare në Anthem, në rrethinat e kryeqytetit Phoenix.

Një sezon i trazuar zgjedhjesh në Amerikë, që u shoqërua sërish nga ndasitë e mëdha politike dhe që ngriti pikëpyetje lidhur me angazhimin ndaj një të ardhmeje demokratike përfundon të martën, ndërsa amerikanët votojnë në zgjedhjet e para kombëtare të presidencës së demokratit Joe Biden.

Zgjedhjet në SHBA pas një fushate të ashpër politike
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:43 0:00

Demokratët po përgatiten për rezultate zhgënjyese, të shqetësuar se mund të humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe atë të Senatit, që dikur mendonin se do ta ruanin shumicën e vogël që kishin. Guvernatorët aktualë të partisë demokrate në shtetet si Uiskonsini, Miçigani dhe Nevada po ndeshen gjithashtu me rivalë seriozë republikanë.

Gjatë kthimit në Shtëpinë e Bardhë të hënën mbrëma pas një tubimi të fundit fushate, Presidenti Biden tha se ai mendonte se demokratët do ta mbanin Senatin, por e pranoi se ruajtja e shumicës në "Dhomën e Përfaqësuesve është më e vështirë".

Partia Republikane ishte optimiste për shanset e saj, duke thënë se mesazhi i saj i përqendruar tek ekonomia, çmimet e karburantit dhe krimi do të tërhiqte votuesit në një kohë të shtimit të inflacionit dhe dhunës në rritje. Republikanët janë të bindur se zemërimi që rrjedh nga vendimi i Gjykatës së Lartë për të hequr të drejtën kushtetuese të grave për abort është zbehur dhe tradicionalisht zgjedhjet për Kongresin që përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti janë bërë një lloj vlerësimi për punën e tij.

"Do të jetë një referendum mbi paaftësinë e kësaj administrate", tha ligjvënësi republikan i Minesotës, Tom Emmer, i cili po drejton përpjekjet e Partisë Republikane për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Rezultatet mund të kenë një ndikim të thellë në dy vitet e fundit të mandatit të Presidentit Biden. Kontrolli nga republikanët qoftë edhe i njërës dhomë të Kongresit, do ta linte zotin Biden të pambrojtur ndaj hetimeve mbi familjen dhe administratën e tij, ndërsa ai do të përpiqej të mbronte arritjet e tij politike, duke përfshirë ligjin për infrastrukturën, si dhe atë të kujdesit shëndetësor dhe shpenzimet për çështjet sociale. Republikanët gjithashtu mund ta bëjnë më të vështirë rritjen e tavanit të borxhit dhe mund të kufizojnë mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Nëse republikanët do të arrijnë fitore të thellë, mund të shtohet trysnia ndaj zotit Biden për të mos vënë kandidaturën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ish-presidenti Donald Trump, ndërkohë, mund të përpiqet të përfitojë nga një paraqitje e fortë e Partisë Republikane, duke shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij në Florida javën e ardhshme.

Zgjedhjet për Kongresin vijnë në një moment të paqëndrueshëm për Amerikën, e cila doli këtë vit nga pandemia e rëndë e COVID-19 dhe tani po përballet me sfida të forta ekonomike. Gjykata e Lartë hoqi të drejtën kushtetuese për abortin, që ishte në fuqi për pesë dekada.

Në zgjedhjet e para kombëtare, që nga sulmi i 6 janarit të vitit 2021 ndaj Kapitolit, e ardhmja demokratike e vendit është në pikëpyetje. Disa njerëz që morën pjesë, ose ishin në afërsi të sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitolit, pritet të fitojnë në zgjedhjet e së martës, madje edhe në ato për postin e anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Një numër i kandidatëve republikanë për Sekretar Shteti, përfshirë ata që konkurrojnë në Arizona, Nevada dhe Miçigan, kanë refuzuar të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Nëse fitojnë të martën, ata do të menaxhojnë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në shtetet që janë shpesh kyçe në garat presidenciale.

Demokratët e pranojnë se ka një prirje kundër tyre në këto zgjedhje. Me përjashtime të rralla, partia e presidentit humbet vende në zgjedhjet që përkojnë me mesin e mandatit të tij të parë. Mbështetja e ulët për punën e Presidentit Biden i vështirëson më shumë përpjekjet e demokratëve për të fituara garat e ngushta.

Sipas një sondazhi të muajit tetor nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Studimin e Çështjeve Publike-NORC, vetëm 43% e amerikanëve thonë se mbështesin punën e Presidentit Biden. Në të njëjtin sondazh, vetëm 25% thanë se vendi po shkon në drejtimin e duhur.

Megjithatë, aleatët e Presidentit Biden kanë shprehur shpresën se votuesit do të refuzojnë republikanët që kanë kontribuar në krijimin e një mjedisi ekstrem politik.

"Mendoj se ajo që ne po shohim tani është vetëm një parti me busull morali", thotë Cedric Richmond, ish këshilltar i lartë i Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë që tani punon në Komitetin Kombëtar Demokrat. "Dhe një parti që dëshiron të rrëmbejë pushtetin”, shtoi ai.

Ky është një mesazh tërheqës për 49 vjeçarin Kevin Tolbert, i cili punon dhe jeton në Southfield të Miçiganit. Ai planifikon të mbështesë kandidatët demokratë mes shqetësimeve për të ardhmen e demokracisë.

"Është diçka që duhet mbrojtur dhe ne e mbrojmë atë (demokracinë) duke votuar, duke mbështetur vendin tonë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta mbrojmë atë, sepse ne mund të përfundojmë në situata të ngjashme me ato që i kemi parë në të kaluarën, diktatorë e të tjerë. Ne nuk kemi nevojë për këtë", thotë zoti Tolbert.

Por në Merilend, ku demokratët kanë një nga shanset e tyre më të mira për të rimarrë postin e guvernatorit të mbajtur nga republikanët, Shawn Paulson thotë se kishte "shumë pikë-pyetje, por jo hetime të mjaftueshme" për rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. "Nuk duhet të jetë një gjë negative ose e paligjshme në asnjë mënyrë të flasësh për atë që do të bësh për të përmirësuar sigurinë", tha zoti Paulson, një 45-vjeçar që drejton degën e Partisë Republikane në Qarkun e Kentit.

Zyrtarët e zgjedhjeve federale dhe shtetërore dhe prokurori i përgjithshëm i emëruar nga vetë zoti Trump, kanë thënë se nuk pati prova të besueshme që tregojnë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara. Akuzat e ish-presidentit për manipulim të zgjedhjeve janë mohuar edhe nga gjykatat e vendit, duke përfshirë edhe gjyqtarë të emëruar nga vetë zoti Trump.

Në zgjedhjet e së martës, votuesit amerikanë do të vendosin për tridhjetë e katër vende në Senat dhe demokratët i kanë përqendruar përpjekjet për të ruajtur kontrollin në Pensilvani, Xhorxhia, Uiskonsin dhe Arizona. Garat në këto shtete ndoshta do të vendosin se cila parti do të kontrollojë Senatin, i cili aktualisht është i ndarë 50 me 50, me Nënpresidenten demokrate Kamala Harris që ka votën përcaktuese. Demokratët shpresojnë të fitojnë në garat për Senatin në shtetet e Ohajos dhe Karolinës së Veriut, ndërsa republikanët besojnë se mund të fitojnë ndaj senatorëve demokratë në Nevada dhe ndoshta në Nju Hempshër.

Të martën votuesit do të zgjedhin tridhjetë e gjashtë guvernatorë shtetesh. Demokratët i kanë përqendruar përpjekjet për të ruajtur postet e guvernatorit në Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani. Këto tre shtete janë kritike për zgjedhjet presidenciale, legjislaturat e tyre kontrollohen nga republikanët dhe kandidatët republikanë për guvernatorë, kanë mbrojtur gënjeshtrat për manipulim zgjedhjesh të filluara nga zoti Trump në vitin 2020.

Fitoret e republikanëve në garat për guvernatorë mund të bëjnë që shtetet të miratojnë ligje më të ashpra votimi dhe ndoshta edhe të refuzojnë të bllokojnë përpjekjet për mohimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, nëse zoti Trump, ose ndonjë kandidat tjetër republikan, i humbet ato.

Mes parashikimeve për fitore të republikanëve, demokratët shpresojnë se aborti mund të aktivizojë bazën e tyre dhe do të tërheqë votuesit e pavarur e të pavendosur, që janë të zemëruar nga shfuqizimi i vendimit Roe kundër Wade.

"Njerëzit e kuptojnë se kjo liri themelore është hequr", thotë Alexis McGill Johnson, presidente e organizatës “Planned Parenthood Federation of America”, e cila ka shpenzuar 150 milionë dollarë për të mobilizuar votuesit "që zakonisht nuk votojnë" në zgjedhjet për Kongresin që përkojnë me mesin e mandatit të Presidentit.

"Ata e shohin se kjo është një çështje ekonomike, një çështje e kujdesit shëndetësor, një çështje e lirisë", shtoi zonja McGill Johnson. “Dhe ata janë të zemëruar.”

Megjithatë, Presidenti Biden përballet me mundësinë e drejtimit të një Uashingtoni të ndarë. Ndërsa po kthehej nga një tubim fushate në mbështetje të kandidatit demokrat për guvernator në Merilend, Wes Moore, zoti Biden u pyet se cili do të ishte realiteti i tij i ri, nëse Kongresi kontrollohet nga republikanët. Ai u përgjigj duke thënë: "Më i vështirë".

XS
SM
MD
LG