Lidhje

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës shkakton përçarje në samitin e G20-ës në Bali


BALI, INDONESIA — Udhëheqësit e Grupit të 20 ekonomive më të mëdha në botë filluan bisedimet të martën në ishullin Bali të Indonezisë, mes përçarjesh të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

Udhëheqësit do të lëshojnë një deklaratë në të cilën "shumica" e anëtarëve do të dënojnë me forcë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane në një konferencë për gazetarët të martën në mëngjes.

"Mendoj se do të shihni që shumica e anëtarëve të G-20-s të bëjnë të qartë se ata dënojnë luftën e Rusisë në Ukrainë, se ata e shohin atë si burimin thelbësor të vuajtjeve të mëdha ekonomike dhe humanitare në botë", tha zyrtari duke folur në kushte anonimiteti.

Deklarata, e planifikuar të publikohet në fund të takimit të nivelit të lartë, më vonë gjatë javës, synon të tregojë se grupi po izolon Rusinë, një anëtare e G-20-s, tha zyrtari. Por është e paqartë se sa vende do ta nënshkruajnë atë.

Ndërsa udhëheqësit bien kryesisht dakord për tre shtyllat e përparësive të G-20-s të nxitura nga presidenca indoneziane, sikurse arkitektura dixhitale, tranzicioni i sistemeve energjitike dhe transformimi dixhital - qëndrimi mbi Rusinë është një pikë penguese cka duket se do ta bënte të pamundur daljen me një deklaratë përbashkët në fund të takimit, thanë për Zërin e Amerikës burime diplomatike.

Në fjalën e hapjes, përpara se udhëheqësit të fillonin diskutimin me dyer të mbyllura, presidenti indonezian Joko Widodo, mikpritës i G-20-s, u kërkoi anëtarëve që të mos lejojnë që ndarjet mbi sulmin e Rusisë në Ukrainë, të prishin axhendën e tyre për unitet dhe rimëkëmbje ekonomike.

"Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, nevojitet bashkëpunim për të shpëtuar botën", tha zoti Widodo, duke shtuar se anëtarët kanë një përgjegjësi jo vetëm ndaj qytetarëve të tyre, por edhe ndaj botës.

"Përgjegjësi do të thotë t'i japësh fund luftës", tha presidenti Widodo.

“G-20 duhet të jetë katalizatori për rimëkëmbje të gjerë ekonomike. Ne nuk duhet ta ndajmë botën në pjesë”, shtoi ai. "Ne nuk duhet të lejojmë që bota të bjerë në një tjetër luftë të ftohtë".

Megjithatë, Indonezia nuk heq dorë nga nevoja për një komunikatë të përbashkët. “Duhet të jemi optimistë, është ende në proces”, u tha gazetarëve të martën ministri indonezian i Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit, Johnny G. Plate.

Në një kritikë që duhej se i referohej Moskës, presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi kundër përdorimit si armë, të cështjeve si ushqimi e energjia.

"Ne duhet të kundërshtojmë me vendosmëri politizimin, instrumentalizimin dhe përdorimin si armë te problemeve që lidhen me ushqimin dhe energjinë", tha presidenti Xi.

Lutja e Zelenskyy-it

Duke iu drejtuar udhëheqësve të G-20-s nga Ukraina, Presidenti Volodymyr Zelenskyy parashtroi një sërë kushtesh të nevojshme për t'i dhënë fund luftës në vendin e tij.

Nën kërcënimet fillestare të bojkotit perëndimor për të përjashtuar presidentin rus Vladimir Putin, zoti Widodo ftoi presidentin Zelenskyy edhe pse Ukraina nuk është anëtare e grupit.

Vende të tjera joanëtare u ftuan si vëzhgues, duke përfshirë Spanjën, Holandën, Singaporin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Yoti Zelenskyy tha se Rusia duhet të riafirmojë integritetin territorial të Ukrainës, të tërheqë trupat e saj nga territori ukrainas dhe të paguajë kompensim për dëmin e shkaktuar.

Presidenti Putin nuk do të marrë pjesë personalisht në samit. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ishte në dhomë kur zoti Zelenskyy foli dhe më vonë u tha gazetarëve se Ukraina po refuzonte të angazhohej në bisedimet e paqes dhe po propozonte kushte joreale.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në Twitter se ai dhe presidenti kinez Xi Jinping bënë thirrje për "respektim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës".

XS
SM
MD
LG