Lidhje

Shqipëri, shtohen ankesat që qytetarët i drejtojnë Avokatit të Popullit


Shqipëri, shtohen ankesat që qytetarët i drejtojnë Avokatit të Popullit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Shqipëri, shtohen ankesat që qytetarët i drejtojnë Avokatit të Popullit

Në “Ditët e Hapura”, që institucioni i Avokatit të Popullit po zhvillon së fundmi në 7 zyrat rajonale në Shqipëri, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile po marrin një numër ankesash në drejtim të institucioneve qendrore dhe atyre vendore.

Në “Ditët e Hapura”, organizuar në Shkodër, aktivistja e shoqërisë civile, Dava Begu, shprehu shqetësimin mbi interesimin e pakët të strukturave vendore për gjendjen e komunitetit egjyptian në këtë rajon.

“Problemi kryesor është strehimi, është shumë problematik pasi ka banesa që kanë nevojë për restaurime, janë shumë të vjetra, janë të degradume dhe futet edhe uji brenda. Gjithashtu, ka probleme me regjistrimet e fëmijëve, të cilët kanë lindur në azil në Gjermani apo Francë, por, kur vijnë këtu, janë të paregjistruar dhe ka një procedurë të gjatë për këto regjistrime”, thotë ajo.

Sipas përfaqësueses së Avokatit të Popullit, ndihmës komisioneres Mimoza Morina, ankesat e qytetarëve, të paraqitura pranë institucionit të Avokatit të Popullit, kanë njohur rritje gjatë muajve të fundit duke reflektuar edhe situatën që po përjetojnë qytetarët dhe familjet shqiptare.

“Në takimet që ka zhvilluar institucioni i Avokatit të Popullit, në “Ditët e Hapura”, nëpër qytetet e Shqipërisë, qytetarët janë ankuar për masën e ulët të ndihmës ekonomike, pagesave të aftësisë së kufizuar, pencioneve, për tejzgjatje të procedurave gjyqësore, çështjet e pronësisë që i kanë ende të pazgjidhura", thotë ajo.

Vetëm muajt e fundit, pranë institucionit të Avokatit të Popullit janë paraqitur 5837 ankesa, duke shënuar edhe numrin më të lartë të rasteve të paraqitura ndonjëherë në këtë institucion.

Sipas raportit vjetor të Avokatit të Popullit, qytetarët ankohen më shumë për shkeljen e të drejtës së pronës dhe të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Ndërsa, ndër të drejtat, shkelja e të cilave ka marrë më pak ankesa, është liria e shprehjes, e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur si dhe e drejta për t’u mbrojtur nga diskriminimi.

Vitin e fundit, Avokati i Popullit i ka adresuar për zgjidhje institucioneve shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, më shumë se 1200 rekomandime për zgjidhjen e ankesave dhe problemeve të qytetarëve.

“Ankesat e marra nga qytetarët do të adresohen pranë institucioneve shtetërore për të marrë rrugën e zgjidhjes, apo për përmirësime ligjore, me qëllim respektimin dhe për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë për një jetesë dinjitoze”, thotë Mimoza Morina.

Por, megjithë rekomandimet, që Avokati i Popullit i ka drejtuar institucioneve qendrore dhe vendore në lidhje me shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve, vetëm 29% e tyre janë zbatuar plotësisht nga institucionet e adresuara, ndërsa 71% kanë mbetur pa u zbatuar, ose janë në proces zbatimi.

XS
SM
MD
LG