Lidhje

Akuza për vrasje dhe krime të urrejtjes ndaj të dyshuarit për sulmin në Kolorado


Colorado Springs-Shooting

I dyshuari për sulmin në një restorant të komunitetit LGBT në Kolorado Springs po mbahet nga autoritet nën akuzat për vrasje dhe krime të urrejtjes.

Akuzat u shfaqën në dosjet e gjykatës në internet të hënën, dy ditë pas sulmit në të cilin u vranë pesë persona dhe u plagosën 25 të tjerë. Të dhënat tregojnë se 22-vjeçari Anderson Lee Aldrich po përballet me pesë akuza për vrasje dhe pesë akuza për kryerjen e një krimi të motivuar nga paragjykimi në sulmin e së shtunës mbrëma në restorantin “Club Q”. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse akuzat ishin ngritur zyrtarisht nga prokurorët apo ishin akuza paraprake të ngritura nga policia. Akuzat për krime të urrejtjes do të duhet të vërtonin se personi i armatosur ishte i motivuar nga orientimi seksual ose identiteti gjinor aktual ose i perceptuar i viktimave.

Më herët të hënën, kryebashkiaku i qytetit Kolorado Springs e quajti "një akt të jashtëzakonshëm heroizmi" përpjekjen e klientëve të një restornati, që frekuentohej nga homoseksualët, për të ndalur personin e armatosur që i sulmoi ata.

Kryebashkiaku John Suthers tha në emisionin "Today" të kanalit NBC se incidenti ka gjurmët e një krimi urrejtjeje, dhe se pasojat e sulmit mund të kishin qenë "më tragjike" nëse klientët nuk do të kishin ndërhyrë.

“Nëse individi nuk do të kishte ndërhyrë, pasojat e sulmit do të ishin shumë më tragjike. Ndërhyrja ishte një vepër jashtëzakonisht heroike”, tha ai.

Një klient ndërhyri me nxitim disa momente pas fillimit të sulmit, ia rrëmbeu të dyshuarit pistoletën, duke e goditur me të dhe e mbajti nën kontroll atë derisa policia mbërriti në vendngjarje disa minuta më vonë.

Sipas policisë dhe zyrtarëve të qytetit, veprimet e tij dhe të paktën dy klientëve të tjerë ndihmuan në kufizimin e gjakderdhjes.

Pesë persona u vranë dhe 25 u plagosën në sulmin në restorantin “Club Q” të shtunën mbrëma. Policia e ka identifikuar të dyshuarin e këtij sulmi, duke thënë se ai është 22-vjeçari Anderson Lee Aldrich.

Zyrtarët e forcave të rendit thanë se i dyshuari ka përdorur një armë gjysmëautomatike AR-15 në këtë sulm, por një pistoletë dhe municion janë gjetur gjithashtu në vendin e ngjarjes.

Pronarët e restorantit “Club Q” falenderuan në faqen e tyre në Facebook “reagimin e shpejtë të klientëve për të ndalur sulmuesin dhe për t’i dhënë fund sulmit”.

Sipas autoriteteve, 7 nga 25 personat e plagosur në sulmin me armë në Kolorado Springs janë në gjendje kritike.

Sulmi ringjalli kujtimet e masakrës së vitit 2016 në klubin e natës “Pulse” në Orlando të Floridës, ku u vranë 49 persona. Kolorado ka përjetuar një numër sulmesh të rënda me armë, duke përfshirë atë në shkollën e mesme në Columbine në 1999, një tjetër në një kinema në periferi të Denverit në 2012 dhe atë në një dyqan ushqimor në Boulder vitin e kaluar.

Ky ishte sulmi i gjashtë me armë që shkaktoi numër të madh viktimash këtë muaj dhe ndodhi një vit pas sulmit tronditës në një shkollë në Uvalde të Teksasit, në të cilin u vranë 21 persona.

XS
SM
MD
LG