Lidhje

Një sulmues vret gjashtë veta në Virxhinia


Një menaxher në një dyqan “Walmart” në shtetin amerikan të Virxhinias hyri në një dhomë pushimi dhe hapi zjarr ndaj kolegëve të tij para se të vriste vetën, tha një dëshmitar të mërkurën, duke lënë gjithsej shtatë të vdekur.

Punonjësja e këtij dyqani, Briana Tyler i tha televizonit amerikan “ABC News” se i dyshuari, të cilin policia nuk e ka identifikuar, nuk tha asgjë ndërsa filloi të qëllonte mbi punëtorët e mbledhur përpara turnit të tyre, në orët e vona të së martës.

“Unë ngrita kokën dhe menaxheri sapo hapi derën dhe hapi zjarr”, tha ajo.

“Ai nuk tha asnjë fjalë. Ai nuk tha asgjë fare”.

Duke përdorur një pistoletë, i dyshuari plagosi gjithashtu të paktën katër persona, të cilët po trajtohen në spitalet e zonës, tha shefi i policisë së Chesapeake, Mark Solesky në një konferencë shtypi të mërkurën.

Nuk është bërë i ditur një motiv i mundshëm për incidentin, por zoti Solesky tha se i dyshuari vdiq nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri.

Dyqani në Chesapeake tani është i sigurt dhe ka të mbetet i mbyllur për disa ditë gjatë hetimit, tha oficeri Leo Kosinski në orët e para të së mërkurës.

Sulmi ndodhi tre ditë pasi një person hapi zjarr në një klub nate të komunitetit LGBTI në Kolorado, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur 17 të tjerë. Më herët gjatë vitit, vendi u trondit nga vrasja e 21 personave kur një person i armatosur sulmoi një shkollë fillore në Uvalde, Teksas.

Sulmi i së martës solli gjithashtu kujtimet e një sulmi tjetë në një dyqan Walmart në vitin 2019, kur një person i armatosur që tha se po shënjestëronte meksikanët, hapi zjarr në një dyqan në El Paso dhe vrau 22 veta.

Më herët, oficeri Kosinski nuk mund të thoshte se si vdiq i armatosuri, por nuk besonte se është qëlluar nga policia.

Të shtënat me sa duket kishin përfunduar kur policia arriti në dyqanin në Chesapeake, që është qyteti i dytë më i madh i Virxhinias dhe shtrihet pranë komuniteteve bregdetare të Norfolkut dhe Virginia Beach.

Walmart shkroi në Twitter herët të mërkurën se ishte "tronditur nga kjo ngjarje tragjike".

Senatori amerikan Mark Warner tha në një postim në Twitter se ishte "i neveritur nga raportet për një tjetër sulm masiv, këtë herë në një Walmart në Chesapeake".

Senatorja e shtetit Louise Lucas i bëri jehonë postimit te senatorit Warner, duke shkruar se ajo ishte "absolutisht zemërthyer që vrasja e fundit masive e Amerikës ndodhi në një Walmart në rrethin tim".

XS
SM
MD
LG