Lidhje

Kriza ekonomike në Britani


Britain Economy

Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ekonomia e Britanisë do të tkurret me 0.4 për qind në vitin 2023, më shumë se çdo ekonomi tjetër në grupin e 7-të vendeve më të pasura të botës. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, analistët thonë se presionet ekonomike globale janë ndërlikuar nga kaosi i fundit politik.

Familja Gray po përgatitet për Krishtlindje. Fëmijët po entusiazmohen nga dita në ditë. Por e ëma e tyre Hayley është e shqetësuar.

"Më duhet të sigurohem që kam para për gaz dhe energji elektrike. Fizikisht, nuk do të jem në gjendje të festoj. Ata nuk do të kenë pothuajse asgjë për Krishtlindje.”

Janë këto shqetësime që po ndjehen në të gjithë Britaninë. Standardi i jetesës gjatë dy viteve të ardhshme parashikohet të bjerë në nivelin më të ulët që nga fillimi i regjistrimit të tij në vitin 1956. Organizatat bamirëse po shohin kërkesë të pashembullt për ndihmë.

“Fillimisht ishin njerëzit e pastrehë që kishin nevojë për atë mbështetje. Tani janë njerëzit në punë, janë njerëzit që nuk kanë mundësi të gatuajnë në kuzhinat e tyre, të cilët kanë nevojë për mbështetje”, thotë Charlotte Hill me organizatën “Felix Project Food Bank”.

Gjendja ka të ngjarë të përkeqësohet - me rritjen e taksave të reja dhe shkurtimet për shpenzimet. Qeveria fajëson koronavirusin dhe Rusinë.

“Ndikimi i vazhdueshëm në zinxhirët e furnizimit i ka bërë mallrat më të shtrenjta dhe ka nxitur inflacionin. Dhe kjo është përkeqësuar nga një krizë energjetike e krijuar nga Rusia”, thotë Jeremy Hunt, sekretar i Thesarit.

Këto kriza janë globale. Por Britania ka probleme unike, thotë analisti John Kampfner.

“Ato janë akumuluar në Britani nga një sërë qeverish të drejtuara ideologjikisht, kompetenca e të cilave ishte shumë e hapur për t'u vënë në pikëpyetje, duke kulmuar në dyzet e pesë ditët katastrofike të Liz Truss-it”.

Planet e ish-kryeministres Liz Truss për të ulur taksat dhe për të rritur shpenzimet shkaktuan rritje të kostove të huamarrjes dhe rënie të paundit, duke e detyruar atë përfundimisht të japë dorëheqjen muajin e kaluar. Efektet janë ende duke u ndjerë.

Për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve, Parisi javën e kaluar u bë tregu më i madh i aksioneve në Evropë duke lënë pas Londrën.

Analistët thonë se Britania ka probleme të tjera të krijuara në vend. Vendimi i Britanisë për t'u larguar nga Bashkimi Evropian solli barriera të reja tregtare. Brenda natës, sipërmarrësi Simon Spurrell humbi 285 mijë dollarë në biznesin evropian. Këtë vit ai vendosi t'ia shesë kompaninë e tij të djathit një rivali më të madh me qasje në tregun evropian.

"Ne nuk kemi më qasje në BE, (që) do të thoshte se duhej të përpiqeshim të gjenim një zgjidhje".

Është e qartë se Brexit po pengon rritjen, thotë analisti Kampfner.

“Ishte kamufluar nga pandemia në 2020 dhe 2021, kështu që pasojat e drejtpërdrejta të shumë prej vendimeve të Brexit nuk mund të dalloheshin. Tani po shihen përfundimisht”.

Kryeministri Sunak këtë javë këmbënguli se Brexit mund të jetë një sukses.

“Unë votova për Brexit-in, besoj në Brexit dhe e di se Brexit mund të sjellë dhe tashmë po sjell përfitime dhe mundësi të mëdha për vendin”.

Qeveria thotë se shtrëngimi i rripit tani do të nënkuptojë një recesion më të shkurtër. Por për miliona britanikë, gëzimi i Krishtlindjeve do të jetë i heshtur - dhe vitet e ardhshme do të jenë të vështira.

XS
SM
MD
LG