Lidhje

Reagime pas pajtimit të Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat


Prishtina Kosovë

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u shfaqën me vlerësime të ndryshme për pajtimin e një nate më parë në Bruksel për çështjen e përdorimit të targave të makinave në veriun e Kosovës.

Reagime pas marrëveshjes Kosovë-Serbi lidhur me targat
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:54 0:00

Pajtimi u arrit disa orë para skadimit të shtyrjes prej 48 orësh të vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre që nuk i kanë ndërruar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se plaët u pajtuan që Serbia të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës ndërsa Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e makinave. Ai paralajëmroi se së shpejti do të ftojë në takim udhëheqësit e të dy vendeve për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, në dritën e propozimit evropian që u i njohur si propozimi franko-gjerman.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi arritje përfshirjen e kësaj çështjeje në tesktin e deklaratës së zotit Borrell, ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u tha të enjten mediave serbe se Kosova kishte marrëveshje më të mirë para dy ditësh, se sa të mërkurën, duke e cilësuar atë një “fitore të vogël taktike” për Serbinë.

Marrëveshja u mirëprit në shkallë të gjerë nga diplomacia perëndimore. Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price, thuhet se të dyja palët “bënë një hap gjigant përpara, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”.

Bashkimi Evropian tha se pas kësaj marrëveshjeje është koha për t'u përqendruar plotësisht në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Partitë opozitare në Kosovë mbështetën marrëveshjen e mbrëmshme, ndërsa akuzuan qeverinë për veprime të papërgjegjshme gjatë javëve të kaluara. Me 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit. Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase duke krijuar boshllëk në veri dhe duke shtuar tensionet ne zonë.

“Sikur të kishi vepruar përgjegjshëm zoti kryeministër, duke mos i vënë në pikëpyetje edhe aleancat tona më të rëndësishme strategjike me miqtë ndërkombëtarë, unë jam i bindur se këto katër javë të angazhimi tuaj do të duhej të ishin përqendruar në ekonominë në rënie, ngritjen e çmimeve e krizën e energjisë, tema që vërtetë e ndikojnë jetën e qytetarëve”, tha Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Me marrëveshjen për tabelat e kemi evituar rrezikun e parë, pra që të kemi viktima qofshin policë të Kosovës apo qytetarë serbë të veriut. Mirëpo dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi në institucione i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës, apo plotësimi i të gjitha vendeve vakante në rend dhe ligj“, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Atë që ka ndodhur javët e fundit e kemi parë të panevojshme, të dëmshme, tepër populiste. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen joserioze dhe paaftësinë tuaj përballë përgjegjësive që keni në raport me vendin dhe qytetarët e Kosovës”, tha Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, kryeministri Kurti tha se synimi i tij ishte përshpejtimi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Dakordimi i mbrëmshëm e vendos parimin e parë negociator të procesit të negociimit të franko gjermanes, evropianes, parimin që ne dhe Serbia jemi palë të barabarta prandaj edhe jemi të emërtuar si ‘parties’ apo palë. Një kornizë e tillë është përparim i fuqishëm në drejtim të faktit që propozimi do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.

Pajtimi i mbrëmshëm nuk dha përgjigje në zhvillimet në veri, por derisa kryeministri Kurti tha se pret përshpejtim të procesit të normalizimit, presidenti serb tha se Serbinë e presin ditë të vështira me shumë trysni rreth Kosovës.

XS
SM
MD
LG