Lidhje

Mali i Zi: BE kërkon zhbllokimin e institucioneve, qytetarët protestojnë para parlamentit në Podgoricë


Podgoricë, Mali i Zi

Bashkimi Evropian shprehu të hënën shqetësim për situatën politike në Mal të Zi dhe bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të bllokadës së institucioneve dhe normalizimin e situatës në vend. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano u bëri thirrje forcave politike të mos e tensionojnë më tej situatën dhe të punojnë për arritjen e një konsensusit ndërpartiak, si përparësi kryesore.

“Kujtojmë dhe këmbëngulim që të gjithë aktorët politikë të përmbahen nga çdo veprim që mund të thellojë më tej krizën institucionale në vend dhe të dëmtojë funksionimin e institucioneve demokratike. Ndërtimi i konsensusit duhet të jetë prioriteti kryesor”, tha zoti Stano.

Zëdhënësi i Brukselit përkujtoi se progresi i vazhdueshëm i Malit të Zi në anëtarësim kërkon që të gjithë aktorët politikë të mbështesin funksionalitetin e institucioneve demokratike.

Peter Stano
Peter Stano

Ndërkohë të hënën në mbrëmje, para selisë së parlamentit në Podgoricë, u zhvillua protesta e tretë me radhë, ku me mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit, kërkuan tërheqjen e ndryshimeve të Ligjit për Presidentin, miratimin e marrëveshjes për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi.

Në protestë, ku morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, studentë dhe përfaqësuesë të opozitës pro-malazeze, shiheshin parulla e pankarta me mbishkrime “Jemi këtu”, “Nacionalizmi po tërbohet”, “Nuk do ta japim Malin e Zi“.

Përveç flamujve të Malit të Zi, protestuesit mbanin edhe flamujt e SHBA-së, BE-së dhe Ukrainës.

Aktivisti dhe bashkëorganizatori i kësaj proteste, Predrag Vushuroviq tha se qytetarët e Malit të Zi po kërkojnë që të parandalohet përmbysja e rendit kushtetues.

“Mali i Zi ju kërkon të arrihet një marrëveshje për Gjykatën Kushtetuese, për të siguruar kushtet për zgjedhje të jashtëzakonshme. Këto zgjedhje duhet të sjellin një qeveri të përgjegjshme që do të punonte për interesat e qytetarëve", tha ai.

Gazetarja e njohur malazeze, Kaqusha Krsmanoviq tha se "ne jemi këtu për të mbrojtur Kushtetutën, reputacionin e rrënuar të Malit të Zi, institucionet e rrënuara, për të ngritur zërin tonë në mbrojtje të Malit të Zi qytetar".

Unë jam këtu për t'i thënë Abazoviqit dhe atyre që i dhanë detyrën për të kthyer Malin e Zi nën çizmet serbe dhe ndikimin rus - ata nuk do të mund ta bëjnë këtë"

"Unë jam këtu për t'i thënë Abazoviqit dhe atyre që i dhanë detyrën për të kthyer Malin e Zi nën çizmet serbe dhe ndikimin rus - ata nuk do të mund ta bëjnë. Unë jam këtu për t'u thënë atyre që duan të na detyrojnë të heshtim - ata nuk do të munden. Detyra jonë si njerëz të lirë është të ngremë zërin. Mali i Zi është vendi ynë i shenjtë”, tha gazetarja Krsmanoviq.

Kjo është protesta e tretë që nga fillimi i këtij muaji. Me 8 nëntor protestuesit kundërshtuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin, përmes së cilit partitë në pushtet synojnë kufizimin e përgjegjësive kushtetuese të presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe kalimin e tyre tek parlamenti.

I tillë është vlerësuar ky ligj edhe nga juristët dhe organizatat joqeveritare, ndërsa diplomatët e vendeve kryesore perëndimore thanë se po "i ndjekin me shqetësim zhvillimet politike në Malin e Zi".

Zyra e presidenti të Malit të Zi, kërkoi nga Komisioni i Venecias të nxjerrë një opinion urgjent për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, ligj që ka shkaktuar debate të shumta, por edhe një krizë politike në vend.

Shumica parlamentare, e cila ka 41 deputetë, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, së bashku me Demokratët dhe lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, mbështesin zgjedhjen e një qeverie të re, mandatari i së cilës do të ishte kandidati i tyre Miodrag Lekiq. Nga ana tjetër, blloku i opozitës dhe partive të pakicave të udhëhequr nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq mendon se parlamenti duhet të shpërndahet dhe të organizohen zgjedhje të reja.

Kriza politike në Mal të Zi, pasoi rënien e qeverisë së kryeministrit Abazoviq dhe refuzimin e shumicës parlamentare për të hyrë në një proces të ri zgjedhor. Po ashtu, pothuajse të gjitha institucionet janë në gjendje të përkohshme vepruese, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila është pa kuorum.

XS
SM
MD
LG