Lidhje

Kina zotohet të godasë ‘forcat armiqësore' ndërsa publiku vë në provë presidentin Xi


Partia Komuniste kineze u zotua të godasë me vendosmëri ato që i quajti “aktivitete ndërhyrjeje e sabotazhi nga forcat armiqësore”. Ky qëndrim u shpreh në një deklaratë të publikuar të martën në mbrëmje nga Komisioni Qendror për Çështje Politike dhe Juridike. Deklarata pason demonstratat më të mëdha që kanë përfshirë vendin ndër dekada, organizuar nga qytetarët e lodhur me kufizimet e rrepta kundër koronavirusit.

Megjithëse nuk i përmendte drejtpërdrejt protestat, deklarata shërben si një kujtesë për vendosmërinë e partisë komuniste për të imponuar sundimin e saj. Autoritetet kineze kanë nxjerrë në rrugë forca të shumta të sigurisë në një demonstrim force dhe për të penguar përsëritjen e protestave që shpërthyen gjatë fundjavës në Pekin, Shanghai, Guangzhou dhe disa qytete të tjera të vendit.

Të mërkurën, forcat e policisë dhe ato paraushtarake kryen kontrolle të rastësishme të kartave të identitetit e telefonave celularë të qytetarëve në një përpjekje për të gjetur prova të mundshme për ata që kishin marrë pjesë në demonstrata.

Nuk dihet numri i personave që janë ndaluar në protesta apo në aksionet vijuese të policisë. Media shtetërore e kontrolluar rreptësisht nga partia në pushtet, nuk i ka pasqyruar protestat, të cilat përfaqësojnë dhe sfidën më të madhe ndaj presidentit Xi Jinping. Ai dhe partia e tij nuk kanë folur drejtpërdrejt mbi protestat, të cilat u përhapën në kampuset e kolegjeve dhe në qytetin jugor gjysmë autonom të Hong Kongut.

Protestat u përqendruan në kundërshtimin e politikës së ashpër mbi COVID-19, e cila ka detyruar miliona vetë të futen në izolim e karantinë. Po zëra më të guximshëm kanë bërë thirrje për liri e demokraci si dhe kanë kërkuar largimin e udhëheqësit më të fuqishëm të Kinës ndër dekada, Xi Jinping.

XS
SM
MD
LG