Lidhje

SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve voton për të ndaluar grevën hekurudhore


Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara miratoi të mërkurën për një projekt-ligj për të bllokuar një grevë që të do të paralizonte sistemin hekurudhor dhe për leje mjekësore me pagesë për punonjësit e hekurudhave.

Ligjvënësit votuan me 290 pro dhe 137 kundër për ta bërë të detyruar zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në shtator lidhur me mbi 10 sindikata që përfaqësojnë 115,000 punëtorë, pasi Presidenti Joe Biden paralajmëroi për ndikimin katastrofik që do të kishte një ndalim transporti hekurudhor që mund të fillonte që në 9 dhjetor.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi gjithashtu për një masë të veçantë tëç miratuar me 221 vota pro dhe 207 kundër për t'u dhënë shtatë ditë leje për arsye mjekësore me pagesë punonjësve të hekurudhave, por nuk është e sigurt nëse ajo do të miratohet nga Senati.

Demokratët dhe disa republikanë kanë shprehur indinjatën për mungesën e lejes së paguar për arsye mjekësore për punonjësit e hekurudhave.

"Ne e dimë se duhet bërë shumë më tepër për punonjësit e hekurudhave," tha kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi përpara votimit. "Askush nuk duhet të rrezikojë të humbasë punën kur qëndron në shtëpi për shkak sëmundjeje, kur ka nevojë të vizitohet ose të bëjë një operacion që i shpëton jetën."

Një grevë hekurudhore do të paralizonte pothuajse 30% të transportit të mallrave, do të nxiste inflacionin tashmë në rritje dhe do t'i kushtonte ekonomisë amerikane deri në 2 miliardë dollarë në ditë, si edhe do të bllokonte miliona pasagjerë.

Pas votimit, Biden i bëri thirrje Senatit që të veprojë "urgjentisht".

"Pa sigurinë e një votimi përfundimtar për të shmangur një mbyllje këtë javë, hekurudhat do të fillojnë të ndalin transportin e materialeve kritike si kimikatet për të pastruar ujin tonë të pijshëm që këtë fundjavë," tha ai në një deklaratë.

Kompanitë hekurudhore dhe Dhoma e Tregtisë e SHBA-së kundërshton ndryshimin e marrëveshjes për kontratën që u arrit në shtator kryesisht në bazë të rekomandimeve të një bordi të caktuar nga zoti Biden.

Biden vlerësoi të hënën kontratën e propozuar që përfshin një rritje të pagave prej 24% gjatë pesë viteve dhe pesë pagesa vjetore prej 1,000 dollarësh, dhe i kishte kërkuar Kongresit ta vinte në efekt marrëveshjen pa asnjë modifikim.

Marrëveshja tentative nuk parashikon leje mjekësore afatshkurtër, pasi sindikatat kërkuan 15 ditë dhe kompanitë hekurudhore ofruan një ditë.

"E gjithë kjo mund të ishte shmangur nëse hekurudhat do të ishin të gatshme t'u siguronin punonjësve të tyre një mbrojtje bazë dhe atë që shumë amerikanë e kanë tashmë: leje të paguar për sëmundje," tha kryetari i Komisionit të Transportit të Dhomës së Përfaqësuesve, Peter DeFazio.

Shef Ekzekutiv i Shoqatës së Hekurudhave Amerikane, Ian Jefferies, tha se veprimi i Dhomës për lejen mjekësore mund të dëmtojë negociatat e ardhshme e dhe argumentoi se sindikatat kanë negociuar historikisht për paga të përgjithshme më të larta dhe një politikë më favorizuese për leje afatgjatë.

Sekretari i Transportit Pete Buttigieg dhe Sekretari i Punës Marty Walsh do të flasin me demokratët e Senatit të enjten për çështjen e sindikatave hekurudhore.

XS
SM
MD
LG