Lidhje

Lehtësimi i pjesshëm i masave kundër Covidit në Kinë shkakton paqartësi


Kina ka nisur lehtësimin e kufizimeve të rrepta kundër COVID-it, por mënyra se si po zbuten masat po shkakton konfuzion tek banorët.

Zyrtarët kinezë thonë se variantet e reja janë më të dobëta, por ata ende nuk kanë njoftuar se kur mund t’i japin fund strategjisë “zero-COVID”, e cila izoloi miliona njerëz në shtëpitë e tyre, shkaktoi protesta historike dhe goditi ekonominë e dytë më të madhe të botës.

Lehtësimi i pjesshëm i masave kundër COVID-19 në Kinë, vendit me kufizimet më të ashpra në botë, shkaktoi paqartësi ditën e hënë.

Në qytetet e mëdha kineze banorët kanë mendime të ndryshme lidhur me zbutjen e masave.

Disa shprehen të kënaqur me vendimin që testet për COVID nuk janë më të detyrueshme për përdorimin e transportit publik dhe shpresojnë se ky është hapi i parë drejt rihapjes së plotë të vendit.

“Për disa njerëz që nuk kanë shumë kohë, është shumë më lehtë pa testet kundër COVID-it”, thotë 27 vjeçari Hu Dongxu, banor i Pekinit.

Por disa të tjerë hedhin dyshime mbi mënyrën se si po ndërmerren veprimet kundër koroanvirusit.

“Ata po i ndryshojnë masat pa kriter. Për shembull një qendër tregtare rihapet të shtunën, por njerëzit u njoftuan të premten në mbrëmje. Është e çuditshme dhe e habitshme për mua, sepse rastet janë shtuar por ata vendosën për hapjen e qendrës tregtare. Megjithatë, darkimi në restorante është ende i ndaluar, por mendoj se do të lejohet së shpejti”, thotë një banor i Pekinit.

“Në fillim isha shumë e lumtur për lehtësimin e kufizimeve. Por më vonë, u ndjeva e frikësuar sepse duhet të vazhdosh të mbrosh veten. Kudo që shkon, maskën nuk duhet ta heqësh”, thotë një banore e Shangait.

Tre vite pas shpërthimit të pandemisë, strategjia e ashpër “zero-Covid” e Kinës është në kontrast me masat në pjesën tjetër të botës, e cila në përgjithësi ka vendosur të jetojë me virusin.

Masat e rrepta kanë goditur ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe kanë rënduar shëndetin mendor të qindra miliona banorëve.

Të dielën, dhjetëra studentë protestuan në një universitet në provincën qendrore të Wuhanit, kundër politikave të saj kundër COVID.

Në disa pamje të siguruara nga agjencia e lajmeve Reuters, studentët dëgjohen duke kërkuar nga zyrtarët e shkollës që veprimet kundër COVID-it të bëhen në një mëyrë më të hapur dhe transparente.

Ky tubim pasoi një sërë demonstratash kundër kufizimeve në fund të muajit të kaluar, në atë që shihet si shfaqja më e madhe e pakënaqësisë publike në Kinë, që kur presidenti Xi Jinping mori pushtetin më 2012.

Edhe pse protestat u ndërprenë mes një pranie të madhe policie në qytetet e mëdha, autoritetet rajonale zbutën shkallë-shkallë kufizimet, rregullat e izolimit dhe detyrimin për testim kundër COVID.

Kina pritet të njoftojë së shpejti një lehtësim mbarëkombëtar të detyrimit të testimit për koronavirus dhe pritet të lejojë mbylljen në shtëpi të disa rasteve pozitive dhe të tjerëve që mund të jenë ekspozuar ndaj COVID, në vend të izolimit të tyre në një objekt qeveritar.

XS
SM
MD
LG