Lidhje

Protestuesit në Iran fillojnë grevë treditore mbarëkombëtare


Një grua duke ecur përgjatë Pazarit të Madh të Teheranit (5 dhjetor 2022)
Një grua duke ecur përgjatë Pazarit të Madh të Teheranit (5 dhjetor 2022)

Protestuesit në Iran filluan një grevë tre ditore të hënën në vazhdën e trazirave të shkaktuara nga vdekja në shtator e një gruaje kurde iraniane që ishte ndaluar nga policia e moralit.

Protestuesit u bënë thirrje pronarëve të dyqaneve në mbarë vendin që të mbyllin bizneset e tyre deri të mërkurën, duke kërkuar reformim të qeverisjes.

Videot e publikuara të hënën në mediat sociale tregonin dyqanet e mbyllura në zonat tregtare të disa qyteteve, përfshirë në Teheran, Karaj, Isfahan, Mashhad, Tabriz dhe Shiraz, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se gati një e treta e dyqaneve ishin mbyllur në Pazarin e Madh të Teheranit.

Dëshmitarët thanë se forca të shumta speciale të policisë ishin dislokuar në qendër të Teheranit.

Kreu i gjyqësorit iranian, Gholamhossein Mohseni-Ejei, urdhëroi arrestimin e personave që inkurajojnë pronarët të mbyllin dyqanet.

Greva vjen ndërsa pati konfuzion për statusin e policisë së moralit, e cila zbaton rregulla të rrepta për veshjen e grave.

Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve ISNA citoi kryeprokurorin e Iranit, Mohammad Jafar Montazeri, të jetë shprehur në një raport të shtunën se policia e moralit “ishte mbyllur”.

Megjithatë, aktivistët kishin shprehur dyshime se ishin ndërmarrë veprime të tilla. Deri të dielën, media shtetërore Al-Alam qarkulloi një lajm ku thuhej se gjyqësori, pjesë e të cilit është edhe zoti Montazeri, nuk mbikëqyr policinë e moralit.

Zyrtarët e qeverisë nuk kanë komentuar publikisht për çështjen.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se ishin parë më pak oficerë të policisë së moralit në qytetet iraniane gjatë javëve të fundit dhe se ishte bërë më e zakontë që gratë të ecnin rrugëve pa veshur hixhab.

Demonstratat kundër qeverisë në Iran filluan pasi 22 vjeçarja Mahsa Amini u arrestua nga policia e moralit për shkak se nuk kishte veshur hixhabin siç duhet. Vdekja e saj ndërsa mbahej nga policia shkaktoi një valë protestash, gjatë të cilave grupet e të drejtave të njeriut thonë se janë vrarë të paktën 471 persona.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters, dhe AFP.

XS
SM
MD
LG