Lidhje

Raphael Warnock fitues i balotazhit në Xhorxhia


U.S. midterm runoff election in Georgia

Senatori demokrat Raphael Warnock, fitoi përballë sfiduesit republikan Herschel Walker në balotazhin e zgjedhjeve në Xhorxhia të martën, duke u siguruar demokratëve një shumicë në Senat për pjesën tjetër të mandatit të presidentit Joe Biden.

Me fitoren e senatorit Warnock demokratët do të kenë një shumicë 51-49 në Senat, duke siguruar epërsi pas ndarjes aktuale 50-50 me fitoren e senatorit John Fetterman në Pensilvani.

Megjithatë, do të ketë një qeverisje të ndarë, me republikanët që kanë kontrollin e ngushtë të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Pas një fushate të vështirë, ose duhet të them fushatave, është nderi im të them fjalët më të fuqishme të thëna ndonjëherë në një demokraci: Njerëzit folën", u tha senatori Warnock, 53 vjeç, mbështetësve të ngazëllyer që mbushën një sallë vallëzimi të hotelit Atlanta.

“Unë shpesh them se vota është një lloj lutjeje për botën që dëshirojmë për veten dhe për fëmijët tanë", deklaroi zoti Warnock, një pastor baptist dhe senatori i parë me ngjyrë i shtetit të tij.

Fitorja e zotit Warnock do të forcojë statusin e Xhorxhias si një shtet që mund të luajë rol përcaktues në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Humbja e zoti Walker mbyll përpjekjet e republikanëve për të fituar me kandidatët e mbështetur nga Donald Trump, një goditje për ish-presidentin që ka hedhur kandidaturën e tij për në Shtëpinë e Bardhë.

Shumica e re e demokratëve në Senat do të thotë se partia nuk do të duhet të negociojë më një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me republikanët dhe nuk do të duhet të mbështetet te zëvendëspresidentja Kamala Harris për të hedhur votën përcaktuese.

XS
SM
MD
LG