Lidhje

Akuza të reja kundër poligamistit Samuel Bateman


Samuel Bateman
Samuel Bateman

Udhëheqësi i një grupi të vogël poligamist pranë kufirit ndërmjet Arizonës dhe Utah-ut kishte të paktën 20 gra, shumica prej tyre të mitura, dhe i dënonte ndjekësit që nuk e trajtonin atë si profet, thuhet në dokumentet e depozituara në gjykatën federale.

Samuel Bateman, dikur anëtar i kishës “Fundamentalist Church of Jesus Christ of Latter-Day Saints” u largua për të krijuar grupin e tij të vogël. Ai fitoi një mbështetje të fortë nga burrat të cilët hoqën dorë nga gratë dhe fëmijët e tyre për tja dorëzuar Bateman-it, thuhet në dokumentet e FBI-së.

Dokumentet e depozituara të premten ofrojnë një pasqyrë të re të asaj që kanë zbuluar hetuesit për rastin që u bë publik për herë të parë në muajin gusht. Dokumentat flasin për akuza për rrëmbim dhe pengim të ndjekjes penale kundër tre prej grave të Bateman-it, Naomi Bistline, Donnae Barlow dhe Moretta Rose Johnson. Zonjat Bistline dhe Barlow janë planifikuar të paraqiten në gjykatën federale në Flagstaff të Arizonës të mërkurën. Ndërsa zonja Johnson është në pritje të ekstradimit nga shteti i Uashingtonit.

Të tre gratë akuzohen se kanë marrë tetë nga fëmijët e Bateman-it nga kujdestaria shtetërore e Arizonës dhe janë larguar. Fëmijët u gjetën javën e kaluar qindra kilometra larg në Spokane të shtetit Uashington.

Bateman u arrestua në muajin gusht kur dikush vuri re gishta të vegjël në vrimat e një rimorkioje të një kamioni që ai po ngiste në Flagstaff. Ai u lirua me kusht, por u arrestua përsëri dhe u akuzua për pengim të drejtësisë në një hetim federal për të zbuluar nëse fëmijët po transportoheshin përtej kufirit të shtetit për aktivitet seksual.

Të dhënat e gjykatës pretendojnë se Bateman, 46 vjeç, ishte i përfshirë në trafik seksual të fëmijëve dhe poligami, ndërkohë që akuzat aktuale janë të reja. Poligamia është e paligjshme në Arizona, por u dekriminalizua në shtetin Utah në vitin 2020.

Deklarata e FBI-së e depozituar në çështjen e grave përqendrohet kryesisht tek Bateman, i cili e shpalli veten profet në vitin 2019. Deklarata detajon akte të qarta seksuale që Bateman dhe ndjekësit e tij kryen për të përmbushur "detyrat hyjnore".

Poligamia është një trashëgimi e mësimeve të hershme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints), por kisha kryesore e braktisi praktikën në vitin 1890 dhe tani e ndalon rreptësisht atë.

Kur Bateman u arrestua në fillim të këtij viti, ai udhëzoi ndjekësit e tij të pajiseshin me pasaporta dhe të fshinin mesazhet e dërguara përmes një sistemi të koduar, thanë autoritetet.

XS
SM
MD
LG