Lidhje

Brittney Griner kthehet në SHBA, pas shkëmbimit me tregëtarin rus të armëve


Brittney Griner duke zbritur nga avioni në Teksas (9 dhjetor 2022)
Brittney Griner duke zbritur nga avioni në Teksas (9 dhjetor 2022)

SAN ANTONIO, Teksas – Ylli i basketbollit Brittney Griner u rikthye në Shtetet e Bashkuara në orët e para të së premtes, pas gati 10 muajsh arresti në Rusi që e shndërruan në rastin më publik të një shtetaseje amerikane të burgosur jashtë vendit dhe që shkaktoi një furtunë politike.

Statusi i saj si një grua afrikano-amerikane homoseksuale, arritjet e saj në sportin e basketbollit dhe burgosja e saj në një vend ku autoritetet kanë qenë armiqësore me komunitetin LBGTQ, krijuan shqetësime rreth gjendjes së saj dhe sollën vëmendje të jashtëzakonshme për çështjen. Pas arrestimit të saj filloi edhe sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, duke i ndërlikuar kështu gjërat edhe më tej.

Marrëveshja e njoftuar të enjten për shkëmbimin e zonjës Griner me trafikantin e njohur të armëve Viktor Bout, realizoi një objektiv kryesor për Presidentin Joe Biden. Por Shtetet e Bashkuara nuk arritën të sigurojnë lirimin e një tjetër amerikani, Paul Whelan, i cili po mbahet në burg prej gati dy vitesh.

Autorizimi i Presidentit Biden për të liruar Viktor Bout-in, rusin e mbiquajtur “Tregtari i Vdekjes”, vuri në pah urgjencën e shtuar me të cilën u përball administrata e tij për ta kthyer zonjën Griner në atdhe, në veçanti pas përfundimit të çështjes gjyqësore ndaj saj për drogë dhe transferimin më pas në një institucion për vuajtjen e dënimit.

Ylli i basketbollit, dy herë fituese e medaljes së artë olimpike, u pa të zbriste nga një avion të premten në Bazën San Antonio-Lackland, në Teksas.

“Shumë të lumtur që Brittney ndodhet sërish në tokë amerikane. Mirësevjen në shtëpi, BG!”, shkruajti në Twitter, Roger Carstens, i dërguari i posaçëm i presidentit për çështjet e pengjeve.

Ylli i kampionatit të basketbollit për femra (WNBA), që ka luajtur basketboll profesionist edhe në Rusi, u arrestua në aeroportin e Moskës “Sheremetyevo” në shkurt, pasi autoritetet ruse thanë se kishte me vete vaj kanabisi. Departamenti amerikan i Shtetit e shpalli “të arrestuar padrejtësisht” zonjën Griner, një akuzë kjo që u refuzua me forcë nga Rusia.

Ajo pranoi fajësinë në korrik, por iu desh megjithatë të vazhdonte gjyqin, pasi pranimi i fajësisë në sistemin gjyqësor të Rusisë nuk i jep fund çështjes. Ajo u dënua me nëntë vite burg.

Brittney Griner pranoi në gjykatë se kishte me vete vaj kanabisi, por tha se nuk kishte asnjë qëllim të bënte shkelje dhe se i kishte futur në valixhe pa dashje. Ekipi i saj mbrojtës paraqiti deklarata me shkrim se asaj i ishte dhënë kanabis me recetë për të kuruar dhimbjet.

Ministria e Jashtme ruse konfirmoi shkëmbimin e së enjtes, duke thënë në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë ruse të lajmeve se shkëmbimi u bë në Abu Dhabi dhe se zoti Bout ishte nisur drejt Rusisë.

Presidenti Biden foli në telefon me zonjën Griner. Zyrtarët amerikanë thanë se asaj do t'i ofrohen shërbime të specializuara mjekësore dhe terapi.

Duke liruar zotin Bout, Shtetet e Bashkuara liruan një ish-kolonel të Ushtrisë Sovjetike, të cilin Departamenti i Drejtësisë dikur e përshkroi si një nga tregtarët më aktivë të armëve në botë. Ai u arrestua në Tajlandë në vitin 2008 dhe u ekstradua drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2010.

Zoti Bout po vuante një dënim prej 25 vitesh burgim, pasi organizoi shitje armësh me vlerë dhjetëra miliona dollarë, që zyrtarët amerikanë thanë se do të përdoreshin kundër amerikanëve.

XS
SM
MD
LG