Lidhje

Komisioni i Venecias rekomandon mosmiratimin e ndryshimit të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi


Komisioni i Venecias rekomandoi të premten që të “mos miratohen ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, pasi ato në thelb do të përfaqësonin një ndryshim të Kushtetutës, me një shumicë më të vogël parlamentare se sa parashikohej”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Komisioni u bën thirrje institucioneve, deputetëve dhe partive politike që të marrin pjesë me përgjegjësi në zgjidhjen e ngërçit aktual dhe të gjejnë kompromise konstruktive për vendime të rëndësishme, përfshirë zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Mendimin e Komisionit të Venecias, organ këshillues i Këshillit të Evropës, për këtë ligj e kishte kërkuar presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Ai e bëri këtë pasi shumica parlamentare, Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA, miratuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin, me të cilat parlamenti malazez mori një pjesë të kompetencave të tij në fushën e propozimit të kandidatëve për përbërjen e qeverisë së re.

Në fillim të nëntorit, presidenti Gjukanoviq e refuzoi këtë ndryshim dhe ia ktheu parlamentit për rishqyrtim duke propozuar shkurtimin e mandatit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Komisioni i Venecias i vlerësoi këto procese si mosrespektim të institucioneve dhe praktikë të keqe politike.

“Heqja e kompetencave të presidentit për të propozuar një kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë, ose për të emëruar një të propozuar nga shumica parlamentare, mungesa e konsultimeve politike ose refuzimi për të marrë pjesë në to, akuza të ndërsjella për sjellje antikushtetuese, kërcënime për bojkotimin e parlamentit apo shkarkim; Refuzimi për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, deri në ndryshimet në Ligjin për Presidentin, janë simptoma të mosrespektimit të institucioneve dhe qytetarëve, si dhe të praktikave të këqija politike dhe kushtetuese”, thuhet në opinion.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi vazhdon të jetë jofunksionale sepse ka vetëm tre nga gjithsej shtatë gjyqtarë. Më 12 dhjetor, deputetët do të votojnë për katër kandidatët e propozuar për gjyqtarë të asaj gjykate.

Zgjedhja e kandidatëve kërkon një shumicë prej tre të pestave, mbështetjen e 49 deputetëve, të cilën shumica parlamentare nuk e ka dhe opozita refuzon të mbështesë tani për tani kandidatët e propozuar.

Mali i Zi është tronditur nga një krizë politike që pasoi rënien e qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq dhe refuzimin e shumicës parlamentare për të hyrë në një proces të ri zgjedhor.

Shumica aktuale fitoi pushtetin në zgjedhjet e gushtit 2020 dhe pas më se 30 vitesh e dërgoi partinë e presidentit Gjukanoviq në opozitë.

Në parlamentin e Malit të Zi, i cili ka 81 deputetë, ata kanë një shumicë të vogël prej 41 deputetëve.

XS
SM
MD
LG