Irani ekzekutoi të hënën të burgosurin e dytë të dënuar për krime të kryera gjatë protestave mbarëkombëtare që kanë sfiduar teokracinë e vendit, duke e varur publikisht nga një vinç ndërtimi si një paralajmërim i tmerrshëm për të tjerët.
Ekzekutimi i të burgosurit Majidreza Rahnavard erdhi më pak se një muaj pasi arrestimit të tij nën dyshimet se goditi me thikë dy anëtarë të një force paraushtarake si reagim ndaj vrasjeve të protestuesve nga forcat iraniane të sigurisë.
Ngjarja nxjerr në pah shpejtësinë me të cilën Irani tani kryen dënimet me vdekje për të arrestuarit në protestat anti-qeveritare, që autoritetet shpresojnë t'i shuajnë.
Aktivistët paralajmërojnë se të paktën dhjetë vetë tashmë janë dënuar me vdekje në seancat gjyqësore me dyer të mbyllura. Sipas Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran, një grup që ka monitoruar protestat në vend, të paktën 488 njerëz janë vrarë që nga fillimi i protestave në mes të shtatorit. 18,200 persona të tjerë janë arrestuar nga autoritetet.
Agjencia iraniane e lajmeve Mizan, publikoi imazhet e Majidreza Rahnavardit të varur në një vinç, me duar e këmbë të lidhura dhe kokën e mbuluar me një thes të zi.
Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi ekzekutimin e Rahnavardit.
"E denoncojmë këtë trajtim drakonian në termat më të fortë", u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Ai tha se dënimet e ashpra kanë për qëllim të frikësojnë popullin e Iranit dhe "ato thjesht nënvizojnë se sa shumë i frikësohet udhëheqja iraniane në të vërtetë populli të vet".
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se ishte e tmerruar nga ekzekutimi i Rahnavardit, duke shtuar, se “kemi frikë për jetët e protestuesve të tjerë të dënuar me vdekje. Përdorimi i dënimit me vdekje nuk është në përputhje me [të drejtën] për jetën”.
Sipas agjencisë iraniane, Majidreza Rahnavard kishte vrarë me thikë dy anëtarë të forcave të sigurisë më 17 nëntor në qytetin e Mashhadit dhe kishte plagosur katër të tjerë.
Pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror tregojnë një burrë që ndiqte një person tjetër dhe më pas e godiste me thikë. Një video tjetër tregonte të njëjtin person duke goditur me thikë dikë tjetër. Sulmuesi, për të cilin televizioni shtetëror pretendon se ishte Majidreza Rahnavard, më pas u largua.
Agjencia e lajmeve Mizan i identifikoi personat e vrarë si "studentë" të grupit “Basij”, i cili përbëhet nga vullnetarë paraushtarakë të Gardës Revolucionare të Iranit. Anëtarët e grupit “Basij” janë dislokuar në qytetet kryesore, duke sulmuar dhe arrestuar protestuesit, të cilët në shumë raste kanë luftuar kundër tyre.
Një raport me redaktime të shumta i televizionit shtetëror, i transmetuar pas ekzekutimit të Majidreza Rahnavardit, tregonte një video të tij në sallën e gjyqit. Në video, ai thotë se filloi t'i urrente anëtarët e grupi “Basij” pasi kishte parë video në rrjetet sociale të anëtarëve të tij që rrihnin dhe vrisnin protestuesit.
Mashhad, një qytet i shenjtë i shiitëve, ndodhet rreth 740 kilometra në lindje të kryeqytetit iranian, Teheranit. Aktivistët thonë se dyqanet e qytetit u mbyllën pas fillimit të protestave për vdekjen më 16 shtator në paraburgim të 22 vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia iraniane e moralit.
Agjencia e lajmeve Mizan tha se Majidreza Rahnavard ishte dënuar në Gjykatën Revolucionare të Mashhadit. Këto gjykatat janë kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar se nuk i kanë lejuar të akuzuarit të zgjedhin avokatët e tyre mbrojtës dhe të shohin provat kundër tyre.
Rahnavard ishte dënuar nën akuzën se ka bërë "luftë kundër Zotit". Kjo akuzë është ngritur kundër shumë personave të tjerëve që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe mbart dënimin me vdekje.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët janë mbledhur në Bruksel, shprehën shqetësimin për ekzekutimin e fundit. Blloku pritet miratojë të hënën një pako të re sanksionesh kundër Iranit lidhur me shtypjen protestuesve, si dhe për furnizimin e Rusisë me dronë të cilët po përdoren në luftën e Moskës në Ukrainë, tha kryediplomati i bllokut.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se ai ka biseduar me ministrin e jashtëm të Iranit në lidhje me reagimin e Teheranit ndaj protestave dhe ekzekutimin e fundit dhe se ajo nuk ishte "një bisedë e lehtë".
"Do të miratojmë një pako shumë të ashpër sanksionesh", u tha zoti Borrell gazetarëve ndërsa mbërriti në Bruksel për të kryesuar takimin e ministrave të jashtëm të BE-së. Ministri i Jashtëm i Finlandës tha se edhe ai kishte telefonuar homologun e tij iranian.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e përshkroi ekzekutimin si "një përpjekje flagrante për frikësimin" e iranianëve.
“Ne e kemi bërë të qartë se mbështesim njerëzit e pafajshëm në Iran”, tha zonja Baerbock teksa mbërriti në takimin e Brukselit. “Një sistem që i trajton njerëzit e tij në këtë mënyrë nuk mund të presë që të vazhdojë të ketë marrëdhënie normale me Bashkimin Evropian”, shtoi ajo.
Irani është një nga ekzekutuesit më të mëdhenj në botë dhe zakonisht i ekzekuton të burgosurit me varje. Autoritetet iraniane ekzekutuan të burgosurin e parë të arrestuar gjatë protestave anti-qeveritare të enjten e kaluar. Deri më tani këtë vit, Irani ka ekzekutuar mbi 500 të burgosur, numri më i lartë në pesë vjet, sipas grupit të Drejtat e Njeriut në Iran, me qendër në Oslo.
"Në mungesë të masave serioze për të frenuar ekzekutimin e protestuesve nga Republika Islamike e Iranit, ne do të përballemi me krime edhe më të tmerrshme si ekzekutimet masive të të burgosurve politikë në vitet 1980", paralajmëroi grupi të hënën. Aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut thonë se në vitet 1988, pjesërisht nën mbikëqyrjen e presidentit aktual të linjës së ashpër të Iranit, Ebrahim Raisi, u ekzekutuan rreth 5000 të burgosur të dënuar me vdekje.
Amnesty International thotë se ka siguruar një dokument të nënshkruar nga një komandant i lartë i policisë iraniane që kërkon që ekzekutimi i të burgosurve të "kryhet në kohën më të shkurtër të mundshme" dhe dënimet me vdekje të bëhen në publik si "një gjest inkurajimi për forcat e sigurisë.”
Përveç protestave anti-qeveritare, Irani është goditur edhe nga një krizë ekonomike që ka shkaktuar rënien e vlerës së monedhës kombëtare, rialit, në nivelet më të ulëta kundrejt dollarit amerikan.