Lidhje

Ambasadorja Kim sërish e shqetësuar për kreun ri të SPAK-ut, përgjigjet Rama


Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme
Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme

Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim, shprehu sot sërish shqetësim ndaj procesit të përzgjedhjes së kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në një postim të gjatë në Twitter, ambasadorja Kim theksoi se “procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet”, duke vënë në dukje më tej thelbi i Reformës në Drejtësi, ka të bëjë me faktin se “drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”.

Pak më pas, për të njejtën çështje u prononcua po në Twitter, kryeministri Edi Rama. Si për të shuar dyshimet se postimi i tij nuk është një replikë ndaj ambasadores, ai që në krye shkruan se është “plotësisht dakort me Twitterin e ambasadës amerikane”. Por ndërsa vë në pah se kreun e SPAK e zgjedh vetëm “Këshilli i Lartë i Prokurorisë që varet vetëm nga anëtarët e vet” dhe askush tjetër, përfshirë dhe qeverinë, bie në sy fakti mënyra se si e veçon përfaqësinë amerikane në këtë listë kur shkruan “ambasada jo e jo”.

Sipas kryeministrit anëtarët e KLP-së nuk duhet “të dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve”, duke saktësuar se”ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”.

Një fjali që lë vend të interpretohet, si një tjetër referencë ndaj ambasadores Kim, e cila në Twitterin e saj kishte treguar se “gjatë javës së fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa frikë apo favore”. Ndërsa postimi i saj mbyllej me pohimin se “do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes për SPAK për t’u siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”.

Duket se ambasada amerikane ka marrë sinjale të qarta për përpjekje për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, ndryshe nuk shpjegohet këmbëngulja publike dhe e vazhdueshme ndaj kësaj çështje. Fillimisht ambasadorja Kim e ngriti shqetësimin sapo KLP miratoi tre kandidatët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Ndërsa dje duke folur në një aktivitet të Këshillit të Lartë Gjyqësor deklaroi se emërimet në instiucionet e Drejtësisë nuk duhet të shënojnë një kthim në të shkuarën.

Dhe pikërisht, në mesin e këtyre përpjekjeve të saj, ministria e Jashtme shqiptare, në mënyrë të papritur dhë në shkelje të praktikave diplomatike, nxorri një njoftim se kishin nisur procedurat e zëvendësimit të ambsadores Kim, e ardhur në Shqipëri në janar të vitit 2020. Por zonja Kim deklaroi dje, qartazi si përgjigje ndaj ministrisë së Jashtme, se “do të qëndroj dhe ca më gjatë” se mandati që si rregull zgjat 3 vjet.

Kryeministri Rama e mbrojti mbrëmë njoftimin e ministrisë, se sipas tij nuk ka asnjë shkelje të etikës diplomatike, duke përsëritur skadimin e mandatit të ambasadores, por pa shpjeguar se përse Shteti shqiptar u dashka të bëjë publike praktikat e brendshme të një vendi tjetër.

XS
SM
MD
LG