Studentët nga Kina përbëjnë më shumë se 30% të studentëve ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee shumë prej tyre nuk po kthehen në shtëpi gjatë pushimit të fundvitit megjithëse Kina ka lehtësuar politikën e saj të rreptë kundër përhapjes së virusit ‘COVID-19’.
Në këtë kohë shumica e studentëve në SHBA kthehen në shtëpi për pushime, me përjashtim të shumë studentëve kinezë. Arsyet janë të ndryshme.
Studente kineze e sapo diplomuar
“Fluturimi për në Kinë në këtë kohë është shumë i shtrenjtë. Kam dëshirë të kthehem, por rrethanat janë vërtet të këqija”, thotë një studente e sapodiplomuar në SHBA.
Një e sapodiplomuar tjetër nuk dëshiron të identifikohet sepse ka frikë nga hakmarrja e qeverisë kineze. Ajo kishte marrë pjesë në një tubim në universitet, duke bërë thirrje që Pekini të lehtësonte masat kundër “Covid-19”.
Këto tubime dhe vigjilje muajin e kaluar në qytetet e SHBA-së pasuan zjarrin vdekjeprurës që përfshiu një ndërtesë apartamentesh në rajonin Xinjiang të Kinës. Shumë njerëz fajësuan politikën zero-COVID për vdekjet. Tragjedia nxiti demonstrata në të gjithë Kinën. Disa ditë pas protestave, Pekini vendosi të lehtësojë masat kundër “COVID-19”.
Studenti kinez Han Wang organizoi një marshim në Los Anxhelos.
“Unë mendoj se është një fitore e parë për njerëzit në Kinë si rezultat i lëvizjes së tyre të guximshme”, tha Han Wang, një student kinez në Los Angelos.
Por, zoti Wang dhe studentë të tjerë kinezë në SHBA thonë se aktivizmi i tyre do të thotë se ata nuk mund të shkojnë në shtëpi gjatë festave nga frika e policisë kineze. Ai thotë se departamenti i sigurisë i Kinës kishte keqtrajtuar familjen e tij në Kinë gjatë dy viteve të fundit.
Një e sapodiplomuar thotë se flet me familjen e saj në Kinë për lirinë e fituar së fundmi pas ndryshimit të politikës kundër “COVID-19”.
“Atyre u pëlqen fakti që tani mund të lëvizin. Fabrikat mund të punojnë dhe ndoshta jeta ekonomike do të kthehet në normalitet, sepse ata vuajtën gjatë masave të rrepta kundër ‘COVID-19’. Të ardhurat e tyre u pakësuan. Ata nuk mund të vizitojnë familjen e tyre në Kinë e as mua në SHBA”, thotë studentja kineze e sapodiplomuar.
Por, liria e sapo fituar e ka një çmim pasi tani raportohet për rritje të rasteve të të infektuarve me “COVID-19”.
“Familja ime tregon se si spitalet janë të mbushura me njerëz dhe se nuk mund të blinin ilaçe (ibuprofen). Ata kanë edhe mungesë testesh”, thotë më tej e sapodiplomuara kineze në SHBA ndërsa flet në kushte anonimiteti.
Por qeveria kineze thotë se po punon për përmirësimin e situatës.
“Kina po përmirëson vazhdimisht masat e parandalimit dhe kontrollit për të siguruar një koordinim më të mirë të reagimit ndaj pandemisë dhe zhvillimit ekonomik dhe social”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.
Kinezja e sapodiplomuar thotë se ka menduar t'u dërgojë të afërmve të saj disa komplete testesh nga SHBA. Por, kjo do t'i kushtonte asaj 200 dollarë, një kosto që tani për tani ajo e ka të pamundur ta përballojë.