Lidhje

Rregullorja për kontrollin e taksave të presidentëve, në qendër të vëmendjes


Një rregullore e agjencisë federale të taksave, IRS sipas së cilës agjencia duhet të verifikojë deklarimet e taksave të presidentit të Shteteve të Bashkuara, është kthyer në qendër të vëmendjes pas raportit të një komisioni të Kongresit, që vinte në dukje se agjencia nuk e kishte bërë kontrollin e detyrueshëm të taksave të ish-presidentit Donald Trump, deri kur kongresi i bëri asaj presion për informacione rreth procesit.

Rregullorja e agjencisë së taksave, që përmban tre pika, parashikon që deklarimet e taksave nga ana e presidentit dhe nënpresidentit t’i nënshtrohen një verifikimi të detyrueshëm, dokumentet e tyre "të mbahen gjithmonë në një dosje ngjyrë portokalli", të mos jenë të duart e punonjësve të zakonshëm të IRS-it dhe "të jenë të kyçura në një sirtar, ose kabinet të sigurt, kur kontrollori është larg vendit të punës."

Raporti i publikuar të martën nga shumica demokrate në Komisionin për Mbikqyrjen e Taksave të Dhomës së Përfaqësuesve thotë se procesi i përcaktuar që në vitin 1977, "në rastin më të mirë ishte pasiv" gjatë viteve të para të administratës së ish-presidentit Trump. Në përgjigje të këtij pasivitieti, demokratët në Kongres po shqyrtojnë mundësinë e kthimit në ligj të rregullores për verifikimin e taksave të presidentit dhe nënpresidentit.

Ekspertët e taksave thonë se fakti që kontrolli nuk u bë në kohën e duhur, është tregues i një problemi më të madh në lidhje me aftësitë e IRS-it për të shqyrtuar deklarimet e taksapaguesve me të ardhura të larta, si edhe një kujtesë se zoti Trump ishte një president që sfidon normat.

John Koskinen, i cili ka shërbyer si kreu IRS-it gjatë administratave të ish-presidentëve Obama dhe Trump, tha se kjo rregullore ka qenë jashtë vëmendjes së publikut, pasi presidentët tradicionalisht i kanë bërë publike dokumentet e tyre të taksave.

"U kthye në problem vetëm me një president, që refuzoi të publikonte deklarimet e tij tatimore," tha zoti Koskinen. "Nëse zoti Trump do të kishte publikuar dokumentat e tij, askush nuk do ta kishte ngritur këtë çështje."

Dorëzimi i deklarimeve të taksave të zotit Trump në Kongres, është pika kulmore e një lufte ligjore shumëvjeçare midis tij dhe ligjvënësve demokratë.

Steve Rosenthal, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën e Politikave Tatimore Urban-Brookings, thotë se dështimi i IRS-it për të kontrolluar formularët e taksave të ish-presidentit Trump, është një tregues se "programi i kontrollit të detyrueshëm është jofunksional, se nuk mund të mbështetemi në sistemin aktual për të verifikuar në mënyrë të drejtë presidentin dhe se në IRS ka një problem të përgjithshëm me kontrollin e individëve që kanë taksa komplekse”.

Zoti Rosenthal shton se “problemi shkon shumë përtej Donald Trumpit. Sigurisht, që çështja e tij e keqëson situatën, por ajo që në fillim nuk ishte e mirë”.

Një buxhet i ri prej 80 miliardë dollarësh, përmes të ashtuquajturit Ligji për Reduktimin e Inflacionit, mendohet se mund të ndihmojë në zgjerimin e personelit të agjencisë, që ka qenë i pamjaftueshëm, modernizimin e teknologjisë së vjetëruar dhe një sërë çështjesh të tjera.

Por republikanët që do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në fillim të vitit të ri, kanë thënë se duan ta reduktojnë këtë shifër.

Raporti i komisionit nxorri në pah se IRS filloi të kontrollonte dosjet tatimore të zotit Trump për vitin 2016 vetëm më 3 prill 2019, më shumë se dy vjet pasi ai kishte marrë detyrën dhe vetëm disa muaj pasi demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Kjo datë përkon me kërkesën e kryetarit demokrat të komisionit Richard Neal, për informacion nga IRS-i në lidhje me deklarimet e taksave të zotit Trump.

Gjetjet e raportit i nxitën ligjvënësit të rekomandojnë një kërkesë ligjore për kontrollin e detyrueshëm të taksave të presidentit, dhe "dorëzimin e informacioneve të caktuara dhe deklarimeve të lidhura me to, në kohën e duhur."

Kryetari demokrat i Komisionit të Financave të Senatit, Ron Wyden, tha se do të punojë për ta kaluar projektligjin në Senat. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se dhoma do të "lëvizë me shpejtësi" për të miratuar ligjin.

Çështja nxjerr në pah problemin e hendekut mes shumës së taksave që i duhen paguar qeverisë federale dhe asaj që paguhet në realitet. Të dhënat e IRS-it të publikuara në tetor parashikojnë që për periudhën 2017-2019, shifra mesatare bruto e taksave ka qënë rreth 540 miliardë dollarë në vit.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha në gusht, dhe ka përsëritur disa herë, se fondet e reja të akorduara nga Kongresi do të përdoren për të rritur mbikqyrjen e individëve me pasuri të madhe, firmave dhe atyre që shmangin taksat përmes skemave komplekse.

"Është punë sfiduese që kërkon një ekip specialistësh taksash të sofistikuar, të cilëve u duhet të shpenzojnë mijëra orë duke analizuar deklarimet e ndërlikuara, por është gjithashtu punë, që ka potencialin të sjellë një sasi të madhe të ardhurash," i tha ajo ish-komisionerit të IRS-it Chuck Rettig në gusht.

Për të zbatuar rregulloren e IRS-it për kontrollin e detyrueshëm të presidentit, agjentëve të trajnuar mirë, ekspertëve ligjorë, avokatëve tatimorë dhe të tjerëve do t'u duhej të bënin një kontroll të detajuar të taskave të ndërlikuara si ato të ish-presidentit Trump, ku përfshiheshin qindra biznese, prona dhe interesa komplekse biznesi.

Raporti i Kongresit vuri në dukje mungesën e personelit dhe ekspertëve për të shqyrtuar taksat e zotit Trump. Raporti thotë se IRS-i besonte se saktësia e dosjeve të tij ishte e garantuar, meqenëse ish-presidenti përfaqësohej nga një këshilltar ligjor dhe një firmë kontabiliteti.

Një çështje tjetër që ka hapur debat mes ekspertëve është nëse dokumentet tatimore presidenciale duhet të bëhen publike.

Ligjvënësi republikan më i lartë në Komisionin për Mbikqyrjen e Taksav, Kevin Brady, tha se Kongresi do të vendoste një "precedent të ri të rrezikshëm" duke publikuar të dhënat presidenciale. Zoti Koskinen tha se "është një precedent serioz që një komision të kërkojë deklarimet e taksave dhe më pas t'i publikojë ato."

"Unë shoh dy probleme të mëdha këtu: Çfarë do të bëjë IRS-së për të garantuar mbikqyrjen e rregullt të deklarimeve të presidenteve dhe cila është arsyeja për publikimin e tyre," thotë zoti Koskinen.

Zoti Rosenthal thotë se ai mendon se deklarimet presidenciale të taksave duhet të bëhen publike për të garantuar mbikëqyrjen e duhur.

"Kur ky informacion bëhet publik, presidenti do të matet para se të mendojë për të manipuluar me taksat. Bërja publike e tyre do t’i bëjë edhe IRS-in edhe presidentin, të veprojnë me përgjegjësi," thotë ai.

XS
SM
MD
LG