Lidhje

Nga Johnny Depp tek marrëdhëniet Jolie-Pitt, problemet e yjeve me ligjin gjatë vitit 2022  


Foto Konbinezon: Angelina Jolie epi Brad Pitt

Shumë yje botërore u përballën me çështje komplekse ligjore gjatë vitit 2022. Juria e një gjykate në Virxhinia vendosi në favor të aktorit Johnny Depp në padinë e tij për shpifje kundër ish-gruas, aktores Amber Heard në qershor e cila kishte pretenduar se aktori kishte abuzuar me të, para dhe gjatë martesës së tyre të shkurtër.

Nga Johnny Depp tek marrëdhëniet Jolie-Pitt, problemet e yjeve me ligjin gjatë vitit 2022
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:23 0:00

“Kundër Amber Heard, ne juria caktojmë dëmshpërblim në formë kompensimi prej 10 milionë dollarësh. Kundër Amber Heard, ne juria caktojmë dëmshpërblim në formë ndëshkimi prej 5 milionë dollarësh. Kundër Johnny Depp, ne juria caktojmë dëmshpërblim në shumën prej 2 milionë dollarësh dhe asnjë dëmshpërblim ndëshkues”, ishte vendimi i jurisë që u lexua nga një nëpunës i Gjykatës në Fairfax të Virxhinias.

Megjithëse procesi u vlerësua si triumf për aktorin Depp, vendimi tregon se juria i dha zonjës Heard të drejtë në pretendimin se ajo ishte viktimë e shpifjes nga një prej avokatëve të zotit Depp, i cili e akuzoi atë se kishte dëmtuar banesën e çiftit që apartamenti të dukej keq për policinë.

Amber Heard nuk reagoi gjatë procesit gjyqësor, por më pas publikoi një deklaratë në profilin e saj në “Twitter”.

“Jam edhe më e zhgënjyer me atë që nënkupton ky vendim për gratë e tjera. Është një kthim prapa. Vendimi na kthen në kohën kur gratë poshtërohen nëse flasin publikisht për abuzimin”.

Aktori Johnny Depp, i cili nuk ishte në gjykatë ndërsa u lexua vendimi, shkroi se “juria i ktheu jetën” në profilin e tij në Instagram.

Aktori tjetër, Kevin Spacey u përball me akuzat për sulm seksual në dy fronte, në Londër dhe në Nju Jork.

Në Londër, aktori i serialit “House of Cards” përballet me 12 akuza, duke përfshirë për sulm seksual.

Spacey, dy herë fitues i çmimit Oscar, është deklaruar i pafajshëm për akuzat se ka sulmuar seksualisht tre burra, nga viti 2004 deri më 2015, kur ishte drejtor artistik në teatrin “Old Vic” në Londër. Gjyqi i tij në Mbretërinë e Bashkuar do të fillojë më 6 qershor 2023.

Në SHBA, juria mbajti anën e Kevin Spaceyt duke hedhur poshtë pretendimin e aktorit Anthony Rapp, se u abuzua kur ishte 14 vjeç, ndërsa të dy ishin aktorë relativisht të panjohur në shfaqjet teatrale në Nju Jork më 1986.

Në nëntor, një tjetër fitues i Oskarit, në kategorinë për skenarin më të mirë, Paul Haggis, u ndëshkua me një dëmshpërblim shtesë prej 2.5 milionë dollarësh në një proces gjyqësor për përdhunim. Totali i dëmshpërblimit ka shkuar në 10 milionë dollarë për një grua që tha se e kishte sulmuar seksualisht në janar të vitit 2013.

Avokatët e viktimës Haleigh Breest e quajtën vendimin të drejtë ndërsa Haggis këmbënguli se ai ishte akuzuar në mënyrë të rreme dhe ishte shkatërruar financiarisht duke u përballur me procesin. Ai është zotuar se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.

Në qershor të vitit 2022, këngëtari R. Kelly u dënua me 30 vjet burg pas një gjyqi në Nju Jork ku juria e shpalli fajtor për shantazh dhe trafikim seksual. Një gjykim i dytë në Çikago përfundoi më 14 shtator me dënimin e tij për akuzat e prodhimit të pornografisë me fëmijë dhe joshjes së vajzave për marrëdhënie seksuale.

“Juria federale riktheu vendimet e fajësisë për gjashtë akuza kundër R. Kellyt. Tre nga ato vendime fajësie ishin për prodhimin e pornografisë së fëmijëve. Tre të tjera ishin shpallja fajtor për R Kellin për joshje të të miturve për t'u përfshirë në aktivitete seksuale. R Kelly dhe dy të bashkëpandehurit e tij u liruan nga akuzat e tjera për të cilat ngarkoheshin në aktakuzë”, tha prokurori amerikan, John Lausch.

Në tetor, aktori Ezra Miller u deklarua se ishte i pafajshëm për vjedhjen e pijeve alkoolike nga shtëpia e një fqinji, një nga një mori arrestimesh dhe raportesh për sjellje të çrregullta nga aktori i filmave me super heronj të kompanisë “DC Comics”.

Nëse shpallet fajtor, Miller përballet me një maksimum prej 26 vitesh burg.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar më 13 janar 2023.

Ezra Miller që luan edhe në filmat e autores J.K. Rowling, “Fantastic Beasts” u arrestua dy herë këtë vit në Hawaii, përfshirë për sjellje të çrregullt dhe ngacmim në një bar.

Prindërit e 18-vjeçares Tokata Iron Eyes, një aktiviste indigjene amerikane, kanë kërkuar gjithashtu urdhër mbrojtje kundër Millerit, duke e akuzuar aktorin për sjellje të papërshtatshme me të që në moshën 12-vjeçare.

Vetë vajza e ka kundërshtuar pretendimin e prindërve.

Në maj 2022, familja Kardashian shënoi një fitore të qartë në një proces gjyqësor të nisur nga Angela White e njohur më shumë si Blac Chyna, ish-gruaja e Rob Kardashian.

Chyna pretendoi se nëna dhe motrat e ish- burrit të saj Rob, Kris Jenner, Kim Kardashian, Khloé Kardashian dhe Kylie Jenner kishin shpifur kundër saj duke e quajtur të dhunshme dhe i kishin bindur producentët të anulonin serialin e saj televiziv, “Rob dhe Chyna”. Akuza u hodh poshtë nga gjykata.

Avokati i aktorit Brad Pitt tha se ai do t'i përgjigjet në gjykatë akuzave të ish-bashkëshortes, aktores Angelina Jolie se ai e ka abuzuar me të dhe ka përdorur forcën ndaj njërit prej fëmijëve të tyre brenda një avioni privat në vitin 2016.

Avokati tha se Brad Pitt e ka marrë përgjegjësinë për veprimet e tij, por jo për disa aspekte të historisë së ish-bashkëshortes Jolie që i ka quajtur të pavërteta.

Deklarata ishte reagim ndaj një dosjeje të aktores Angelina Jolie dorëzuar gjykatës që thoshte se ai e kapi atë nga koka dhe e kishte shkundur me forcë. Dosja gjithashtu thoshte se Brad Pitt e kishte kapur për fyti një nga gjashtë fëmijët e tyre dhe goditi një tjetër kur ata u përpoqën ta mbronin nënën e tyre.

Ish-çifti Pitt – Jolie është përfshirë edhe në një proces tjetër ligjor që ka të bëjë me pronësinë e një punishteje vere në Francë, që ishte blerë ndërsa ata ishin të martuar.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Departamenti i Shërbimeve për Fëmijë dhe Familje të Qarkut të Los Anxhelosit hetuan akuzat, por vendosën të mos ndërmarrin asnjë veprim kundër aktorit Pitt.

XS
SM
MD
LG