Lidhje

Rihapet vendkalimi Kosovë – Serbi në Merdarë, pritet zhbllokimi i rrugëve në veriun e Kosovës


Autoritetet në Kosovë thanë se është rihapur të enjten vendkalimi kufitar me Serbinë në Merdarë, dy ditë pas bllokimit të tij nga një grup serbësh në territorin e Serbisë në shenjë siç thanë, mbështetjeje për serbët në veriun e Kosovës që për gati tri javë po mbajnë të bllokuara rrugët në zonë.

Policia e Kosovës tha se “rruga e cila ishte bllokuar me 27.12.2022 në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim”.

Ky ishte veprimi i parë pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se largimi i bllokadave nga rrugët në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe do të fillojë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova të mërkurën në Rashkë në jug të Serbisë.

Paralajmërimi u bë pasi një gjykatë në Prishtinë vendosi lirimin nga paraburgimi të një ish polici serb, arrestimi i të cilit më 10 dhjetor çoi në bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës.

Presidenti serb tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë garantuar se asnjë nga serbët që vendosën bllokadat, nuk do të ndiqet penalisht.

Paraditen e së enjtes rrugët ne veri ende janë të bllokuara ndërsa në njërën nga bllokadat, dy kamionë u dogjën në rrethana të pasqaruara.

Heqja e bllokadave pritet të ulë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila në fillim të javës vuri në “gjendje të plotë gatishmërie ushtarake” forcat e saj të sigurisë, duke thënë se Kosova e ka bërë të njëjtën gjë.

Autoritete në Kosovës mohuan njoftimet e tilla duke i cilësuar ato pjesë të propagandës serbo-ruse që synojnë destabilizimin e Kosovës.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i që të lëvizin dhe stërviten në territorin e tyre, por duhet të kërkojnë leje për të afruar më shumë se një mijë metra nga kufiri me Kosovën. Ndërsa, Forca e Sigurisë së Kosovës, mund të vendoset në veriun e Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

XS
SM
MD
LG