Lidhje

Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare ish-Papa Benedikti


Ish-Papa Benedikti vdiq në moshën 95 vjeçare. Vatikani njoftoi se trupi i tij do të qëndrojë nga e hëna në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku njerëzit mund të bëjnë nderimet e fundit dhe se ceremonitë funebre do të drejtohen më 5 janar nga Papa Françesku. Ish-papa ishte kreu i parë i Kishës Katolike që dha dorëheqjen pas gati 600 vitesh.

Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare ish-Papa Benedikti
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Ish-Papa Benedikti XVI, i cili u bë kreu i parë i Kishës Katolike që dha dorëheqjen në 600 vjet, vdiq në manastirin ku jetonte që në vitin 2013, njoftoi të shtunën një zëdhënës i Vatikanit.

Këmbanat u dëgjuan në Sheshin e Shën Pjetrit kur u njoftua vdekja e ish-papës. Ai ndërroi jetë në një manastir të Vatikanit në moshën 95 vjeçare.

Më herët këtë javë, Papa Françesku bëri të ditur gjatë fjalimit të tij të përjavshëm se pararendësi i tij ishte shumë i sëmurë dhe u kërkoi njerëzve të luteshin për të.

“Me dhimbje ju informojmë se Papa Benedikti XVI vdiq sot në mëngjes në orën 9:34 në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan. Siç e dini, ai mori bekimin e fundit të mërkurën (28 dhjetor) në përfundim të meshës së pasdites”, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.

Udhëheqës të shumtë botërorë shkruajtën në Twitter mesazhe ngushëllimi dhe dhimbjeje. Kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje origjinën e ish-papës dhe foli për karakterin e tij luftarak. Ish-Papa Benedikt u bë papa i parë gjerman pas 1 mijë vitesh dhe mbajti marrëdhënie të mira me pasardhësin e tij. Po kështu, Presidenti polak Andrzej Duda rikujtoi marrëdhënien e tij me pararendësin polak, ish-Papën Gjon Pali II.

Megjithatë, prania e tij e vazhdueshme brenda Vatikanit, polarizoi ideologjikisht kishën. Konservatorët e alarmuar nga lëvizjet progresiste të Papa Françeskut i kthenin sytë nga ish-Papa Benedekti si një gardian e traditës.

Kritikët rikujtojnë trashëgiminë e vështirë që ai la pas.

“Për viktimat e këtij sistemi kishtar, që ai e përfaqësonte si askush tjetër, nuk përbën një kujtim pozitiv puna dhe jeta e Joseph Ratzingerit, në funksionet e ndryshme që ai pati. Shikoj shumë njerëz të dëmtuar që flasin haptazi këto ditë në mediat sociale”, thotë Matthias Katsch, nga Iniciativa “Eckiger Tisch”, përfaqësues ligjor i viktimave të abuzimit seksual brenda kishës.

Njerëzit në katedralen e Mynihut, ku ish-papa pati shërbyer më parë si kryepeshkop, reaguan në mënyra të ndryshme ndaj vdekjes së tij.

“Mendova kur mori drejtimin se do të sillte pak ajër të pastër në Kishën Katolike dhe do t’i jepte fund detyrimit që priftërinjtë të mbeten të pamartuar. Por fatkeqësisht, më zhgënjeu. Kisha shpresuar, pasi fillimisht jepte një përshtypje shumë moderne. Por fatkeqësisht, asgjë nuk ndodhi”, tha Christa Herwig.

“Për ne ishte një pikë referimi. Ai është dikush që na shoqëroi me miqësinë e tij dhe personalitetin e tij të madh. Na vjen të gjithëve shumë keq”, tha Federico Picetto.

Njerëzit do të kenë mundësinë të bëjnë nderimet e fundit për të duke filluar nga e hëna.

“Shërbimi funeral do të mbahet të enjten që vjen, më 5 janar, në Sheshin e Shën Pjetrit dhe do të drejtohet nga Papa Françesku. Nga mëngjesi i së hënës, trupi i tij do të qëndrojë në Bazilikën e Shën Pjetrit ku besimtarët mund të vijnë për t’u lutur, për ta parë për herë të fundit dhe për t’i dhënë lamtumirën”, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.

Vatikani ka rituale të shumta ceremoniale në rastin kur vdes një papë në detyrë, por nuk ka rituale të njohura publikisht për një ish-papë.

XS
SM
MD
LG