Lidhje

Presidenti Putin urdhëron 36 orë armëpushim ndaj Ukrainës për Krishtlindjet Ortodokse


Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi të enjten një armëpushim 36-orësh në luftën ndaj Ukrainës me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse.

“Ai urdhëroi trupat ruse të ndalojnë sulmet për një ditë e gjysmë në vendin fqinj, duke filluar nga mesdita e së premtes”, tha Kremlini. Shumë të krishterë ortodoksë, përfshirë ata që jetojnë në Rusi dhe Ukrainë, festojnë Krishtlindjet më 6 dhe 7 janar.

Patriarku Kirill i Moskës, kreu i Kishës Ortodokse Ruse dhe mbështetës i zotit Putin për agresionin ndaj Ukrainës, bëri thirrje të enjten që të dyja palët të respektojnë armëpushimin e luftës gjatë Krishtlindjeve. Por qeveria e Kievit e hodhi poshtë thirrjen që e cilësoi një “një kurth cinik”.

Në urdhrin e lëshuar zoti Putin tha: " Nisur nga fakti se një numër i madh qytetarësh ortodokoksë jetojnë në zonat ku po luftohet, ne i bëjmë thirrje palës ukrainase të shpallë një armëpushim dhe t'i lejojë ata të marrin pjesë në shërbesat në prag të Krishtlindjeve, si dhe në ditën e Krishtlindjeve."

Ukraina iu referua urdhrit të zotit Putin si "hipokrizi" pasi më herët reagoi me cinizëm ndaj apelit të Patriarkut Kiril për një armëpushim.

Mykhailo Podolyak, një ndihmës i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, e cilësoi Kishën Ortodokse Ruse si një "propagandiste lufte" që kishte nxitur "vrasjen masive" të ukrainasve .

"Deklarata e Kishës Ortodokse Ruse për 'Armëpushimin e Krishtlindjeve' është një kurth cinik dhe një element propagande," tha ai.

Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme publike nga Shtetet e Bashkuara, që së bashku me aleatët e saj perëndimorë kanë furnizuar me armatime forcat e Kievit për të shmangur pushtimin rus.

Më herët, Presidenti Vladimir Putin i tha homologut turk Rexhep Tayyip Erdogan përmes një bisede telefonike se Rusia ishte e hapur për dialog me Ukrainën, por Kievi duhet të pranojë humbjen e territoreve që i ka fituar (ankesuar) Rusia, sipas një njoftimi të Kremlinit.

Kremlini njoftoi se “Vladimir Putin rikonfirmoi se Rusia është e hapur për dialog, por autoritetet e Kievit duhet të plotësojnë kërkesat e njohura dhe të pranojë realitetin e ri në terren”.

Po ashtu, sipas Kremlinit, “zoti Putin vuri në dukje rolin e dëmshëm të Perëndimit, që ka furnizuar me armë dhe i ka siguruar informacion Kievit”.

Presidenca turke, njoftoi se zoti Erdogan i tha homologut Putin gjatë telefonatës se përpjekjet për paqe në luftën Rusi-Ukrainë duhet të mbështeteshin me armëpushim dhe “vizioni për një zgjidhje të drejtë”.

Zoti Erdogan dhe zoti Putin kanë komunikuar vazhdimisht që pas sulmit të forcave ruse kundër Ukrainës në muajin shkurt. Turqia luajti rol ndërmjetësues mes Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara për marrëveshjen për eksportin e grurit nga portet ukrainase.

Dy presidentët diskutuan gjithashtu edhe rreth një sërë çështjesh mbi sektorin energjitik, përfshirë ndërtimin e një pike shpërndarjeje gazi në Turqi si edhe ndërtimin e një centrali bërthamor në Akkuyu.

XS
SM
MD
LG