Lidhje

Kosovë, plagosen dy të rinj serbë në komunën e Shtërpcës


Policia e Kosovës njoftoi të premten se dy persona janë plagosur në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës, një komunë e banuar me shumicë serbe, rreth 50 kilometra në jug të Prishtinës.

Sipas policisë të plagosurit janë të moshës 11 dhe 21 vjeçare dhe u qëlluan me armë zjarri nga të dyshuar që nga një makinë që po lëvizte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia njoftoi se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në spitalin e Graçanicës afër Prishtinës ndërsa tha se ka arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33 vjeçare në lidhje me plagosjen.

Mediat serbe identifikuan të plagosurit si Millosh dhe Stefan Stojanoviç nga komuna e Shtërpcës.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se në këtë rast është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Plagosja ngjalli reagime të shumta të udhëheqësve të institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmes një komunikate tha se plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. “Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e dënoi ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë.

“Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetet sociale, duke nënvizuar se policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, u shpreh i tronditur nga sulmi duke theksuar se “nuk mund të ketë asnjë justifikim për asnjë dhunë. Besoj se hetimi i plotë do të kryhet nga autoritetet e Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott u shpreh i shqetësuar për sulmin ndërsa tha se mirëpret arrestimin e shpejtë të dyshuarit.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, John Rohde dënoi sulmin dhe mirëpriti siç tha reagimin e shpejtë të policisë së Kosovës.

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, i “dënon fuqishëm të shtënat nga një makinë në lëvizje afër Shtërpcës më herët gjatë ditës së sotme, ku dy persona u plagosën. Reagimi i shpejtë i Policisë së Kosovës për të arrestuar të dyshuarin është i mirëseardhur dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate në të cilin theksohet se për aktet e tilla të dhunës “duhet të ketë zero tolerancë”.

Në shenjë proteste ndaj incidentit të së premtes, disa banore serbë bllokuan rrugën kryesore në Shtërpcë.

Incidenti i cili u dënua ashpër nga përfaqësuesit e Beogradit ndodhi në një periudhë kur sapo u vendos liria e lëvizjes në komunat veriorë të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku për rreth tri javë rrugët u mbajtën të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë që protestuan ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve.

Bllokadat u hoqën pasi ish polici u lirua nga paraburgimi dhe u vendos në arrest shtëpie.

XS
SM
MD
LG