Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të martën se do të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ai i bëri këto komente një ditë para se në Prishtinë të vijë për vizitë këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili më pas do të shkojë edhe në Beograd, në kuadër të një vizite në disa vende të rajonit.
“SHBA është vend aleat edhe partner i yni, andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet të kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale, pra ndërkohë që dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që porsa lamë pas është vit i abnormalizimit të Serbisë”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë këtij muaji në Kosovë dhe Serbi pritet të qëndrojnë edhe diplomatë tjerë amerikanë e evropianë në një përpjekje për ripërtërirë bisedimet që do të çonin drejt një marrëveshjeje.
Të hënën të dërguarit e posaçëm amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, u takuan me zyrtarë të lartë të NATO-s në Bruksel për të diskutuar situatën në Kosovë dhe zhvillimet e përgjithshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një komunikatë të NATO-s thuhet se zëvendës sekretari i përgjithshëm Mircea Geoana nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme të aleancës së NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të ulur tensionet e fundit, posaçërisht në veriun e Kosovës. “NATO-ja gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin – dhe të gjitha përpjekjet që synojnë avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e NATO-s.
Diskutimet pritet të përqendrohen ne një propozim evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e ka cilësuar nismën si një bazë të mirë për diskutime, tha se mekanizmat ndërkombëtarë duhet të ushtrojnë trysni mbi Serbinë për të siguruar një marrëveshje.
“Pra ata e kanë refuzuar këtë propozim dhe tash do të duhej të gjithë të merren me ta ndërkohë që ne e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime”, tha zoti Kurti.
Në tekstin e propozimit nuk përmendet njohja e ndërsjellë, por përfshihet zotimi i palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceseset integruese.