Lidhje

Policia fillon largimin e aktivistëve mjedisorë që bllokuan hyrjet e një fshati në Gjermani


Policia filloi largimin e protestuesve që bllokuan hyrjet në Luetzerath në perëndim të Gjermanisë, në përpjekje për të parandaluar shkatërrimin e fshatit dhe zgjerimin e një miniere qymyri. Organet e rendit thonë se mund të duhen javë për të zhbllokuar fshatin.

Protestuesit thonë se shkatërrimi i fshatit për zgjerimin e minierës së qymyrit Gazweiler, do të sjell emetime të mëdha të gazeve që shkaktojnë efektin serrë. Qeveria thotë se qymyri është i nevojshëm për të garantuar sigurinë energjetike të Gjermanisë.

Gjermani, policia fillon largimin e aktivistëve mjedisorë që bllokuan hyrjet e një fshati
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Fati i një fshati të vogël në Gjermaninë perëndimore ka ndezur një debat të nxehtë mbi përdorimin e qymyrit në vend dhe nëse luftimi i ndryshimeve klimatike justifikon shkeljen e ligjit.

Aktivistët mjedisorë u përplasën me policinë këtë javë për fshatin Luetzerath, në perëndim të Këlnit, i cili do të rrafshohet për t’i hapur rrugë zgjerimit të një miniere linjiti.

Të martën protestuesit refuzuan të respektojnë vendimin e një gjykate, që u ndalonte atyre qëndrimin në atë zonë.

Disa akivistë hapën llogore dhe vendosën bllokada në përpjekje për të ndaluar makineritë e rënda të hynin në fshat, para se policia të ndërhynte.

“Po mundohemi që me trupat tanë të mbrojmë synimet klimatike”, thotë aktivistja Dina Hamid.

Policia thotë se mund të duhen javë për të zhbllokuar fshatin.

Studimet tregojnë se rreth 110 milionë tonë qymyr mund të nxirren nga nëntoka e fshatit Luetzerath.

Qeveria dhe kompania energjetike RWE thonë se kjo sasi qymyri është e nevojshme për të garantuar sigurinë energjetike të Gjermanisë – që është goditur nga ndërprerja e furnizimit me gaz rus për shkak të luftës në Ukrainë.

Kritikët thonë se djegja e një sasie kaq të madhe qymyri do ta vështirësonte plotësimin e objektivave të marrëveshjes së Parisit mbi klimën të vitit 2015, për të kufizuar ngrohjen globale me 1.5 gradë Celsius.

“Askush nuk qëndron në të ftohtë me dëshirë, duke mbrojtur një pyll apo një fshat. Por njerëzit e kanë kuptuar se duhet ta bëjnë këtë për të mbrojtur brezat e ardhshëm”, thotë aktivistja Maya Rollberg.

Debati u ndez gjatë një mbledhje të bashkisë Erkelenz, kur një zyrtar rajonal akuzoi aktivistët se ishin të gatshëm për gjakderdhje për të mbrojtur fshatin tashmë të braktisur Luetzerath.

Banori i fundit i fshatit u largua më 2022, pasi u detyrua t’ia shesë pronën kompanisë RWE.

Dietmar Jung, një prift në pension që mori pjesë në mbledhje, tha se është lodhur duke dëgjuar arsyetimet e zyrtarëve se ligji është në anën e kompanisë energjetike.

“Ata vazhdojnë të flasin për ligjin. Por e drejta për të jetuar nuk luan një rol për ta”, tha ai.

Gjatë muajve të fundit, në Gjermani dhe vende tjera janë ndezur debate mbi atë se deri ku mund të shkojë mosbindja civile, mes një vale bllokadash të rrugëve dhe veprime të tjera nga aktivistët që kërkojnë masa më të ashpra për të luftuar ndryshimet klimatike.

Disa aktivistë thonë se ligji është në anën e tyre, ndërsa theksojnë vendimin e vitit 2021 të Gjykatës së Lartë gjermane që detyroi qeverinë të rrisë përpjekjet e saj për të ulur emetimet.

"Është një përplasje mes demokracisë dhe mënyrave për të nxitur një vend demokratik të lëvizë drejt mbrojtjes së mjedisit dhe drejtësisë klimatike”, thotë protestuesja Jannis Niethammer.

Aktivistët gjithashtu theksojnë se marrëveshja e Parisit, të cilën e ka nënshkruar Gjermania, është ligjërisht e detyrueshme.

XS
SM
MD
LG