Lidhje

Prokurori i posaçëm do të hetojë dokumentat e klasifikuara të gjetura në zyrën dhe shtëpinë e Presidentit Biden


Prokurori Robert Hur gjatë një konference për shtyp në vitin 2019

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland emëroi të enjten një prokuror të posaçëm për të hetuar se si u gjendën dokumentat e klasifikuara në ish-zyrën në Uashington të Presidentit Joe Biden, si dhe në shtëpinë e tij në Wilmington, Dellauer.

Zoti Garland, që mban detyrën e zyrtarit më të lartë ligjzbatues në qeverinë amerikane, përzgjodhi prokurorin e karrierës Robert Hur, ish-prokuror kryesor federal në shtetin Merilend. Zoti Hur ka shërbyer edhe si zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës së presidentit pararendës republikan Donald Trump.

Vendimi i zotit Garland pason caktimin e tij më herët të prokurorit të posaçëm Jack Smith për të bërë një hetim të ngjashëm ndaj zotit Trump. Për disa muaj, ish-presidenti nuk kishte dorëzuar dokumentat e klasifikuara në Administratën për të Dhënat dhe Arkivat Kombëtare, siç parashikohet në legjislacionin amerikan, kur la detyrën dy vite më parë dhe i dërgoi ato në Mar-a-Lago, rezidencën e tij në Florida, ku tashmë edhe banon.

Zoti Garland u tha gazetarëve në Departamentin e Drejtësisë se caktimi i prokurorit të posaçëm Hur “nënvizon për publikun përkushtimin e departamentit si ndaj pavarësisë ashtu edhe llogaridhënies për çështje veçanërisht të ndjeshme”.

Disa zyrtarë republikanë kishin bërë thirrje që zoti Garland të caktonte një prokuror të posaçëm për të hetuar presidentin demokrat.

Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha në një konferencë për shtyp në Kapitol se “mendoj që Kongresi duhet ta hetojë këtë. Nuk mendoj se ndonjë amerikan beson se drejtësia nuk duhet të jetë njësoj për të gjithë”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy duke folur gjatë konferencës për shtyp në Kapitol (12 janar 2023)
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy duke folur gjatë konferencës për shtyp në Kapitol (12 janar 2023)

Si prokuror i posaçëm, 49-vjeçari Hur do të ketë më shumë pavarësi se një prokuror i zakonshëm federal, për të hetuar se si janë trajtuar dokumentat e klasifikuara nga zoti Biden kur ai la detyrën e nënpresidentit në fillimet e vitit 2017. Sidoqoftë, prokurori i raporton drejtpërsëdrejti zotit Garland.

Janë zbuluar dy grupe dokumentash të klasifikuara të lidhura me zotin Biden. Janë rreth 10 dokumenta në Qendrën Penn Biden për Diplomacinë dhe Angazhimin Global, një organizatë kërkimore në Uashington që zoti Biden ndihmoi të krijohej pas tetë vitesh si zëvendës i ish-Presidentit Barack Obama. Një tjetër koleksion u zbulua në shtëpinë e zotit Biden në Wilmington, shumica e tyre, përveç një dokumenti, u gjendën në garazh. Dokumenti tjetër u gjend në një dhomë ngjitur.

Avokatët personalë të Presidentit Biden i dorëzuan menjëherë materialet në Arkivat Kombëtare, që kanë përgjegjësinë për ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave presidenciale.

Rasti i Presidentit Biden ka dallim domethënës me hetimin për trajtimin e dokumentave të klasifikuara nga ish-Presidenti Trump. Ai u largua nga Uashingtoni në fillimet e vitit 2021 së bashku me qindra dokumenta të klasifikuara, disa prej të cilave rrjedhimisht i dorëzoi pas kërkesave të Arkivave Kombëtare, ndërsa FBI-ja mori dhjetëra të tjera në muajin gusht gjatë një kontrolli të autorizuar nga gjykata në zyrën e tij, në një mjedis arkivi dhe dhoma të tjera në Mar-a-Lago.

Dokumentat e gjetur në Mar-a-Lago (30 gusht 2022)
Dokumentat e gjetur në Mar-a-Lago (30 gusht 2022)

Zoti Garland emëroi fillimisht zotin John Lausch, një prokuror kryesor në Çikago dhe i emëruar nga Presidenti Trump, për të shqyrtuar dokumentat e zotit Biden. Zoti Garland tha se zoti Lausch kishte rekomanduar një javë më parë që të caktohej një prokuror i posaçëm.

Hetimi i prokurorit të posaçëm Hur do të shqyrtojë nëse “ndonjë person apo entitet ka shkelur ligjin në lidhje me këtë çështje”, tha zoti Garland.

Pas emërimit të zotit Hur, Shtëpia e Bardhë tha se do të vazhdojë të bashkëpunojë me hetimin.

“Kemi besim se një shqyrtim i hollësishëm do të tregojë se këto dokumenta janë vendosur gabimisht, dhe se presidenti dhe avokatët e tij vepruan menjëherë sapo u zbulua ky gabim”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Godina në Uashington ku gjendej zyra në Qendrën Penn Biden (10 janar 2023)
Godina në Uashington ku gjendej zyra në Qendrën Penn Biden (10 janar 2023)

Disa orë përpara emërimit të prokurorit Hur, një këshilltar i posaçëm ligjor i Presidentit Biden, tha se pasi dokumentat e para u gjendën në Qendrën Penn Biden, avokatët e tij kërkuan në të gjitha vendndodhjet e tjera ku mund të ishin dërguar dokumenta.

Zoti Sauber njoftoi në një deklaratë se avokatët e zotit Biden bënë kërkime edhe në shtëpinë e tij të pushimit pranë Oqeanit Atlantik në plazhin Rehoboth, në Dellauer, por nuk gjetën gjë.

Zoti Sauber tha se Departamenti i Drejtësisë “u njoftua menjëherë” pasi dokumentat u gjendën në Wilmington dhe se dokumentat iu dorëzuan juristëve të departamentit.

Duke folur me gazetarët të enjten, Presidenti Biden u përpoq të ulë rëndësinë e zbulimeve, me sa duket në përpjekje për të bërë dallimin e rastit të tij me mosmarrëveshjen disamujore mes ish-Presidentit Trump dhe Arkivave Kombëtare për dokumentat e klasifikuara që u transferuan për në Mar-a-Lago.

XS
SM
MD
LG