Lidhje

Gjykata e Tiranës konfirmon arrestin për Sekretarin e Përgjithshëm të Financave


Arlind Gjokutaj, Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave
Arlind Gjokutaj, Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave

Në Shqipëri, gjykata e Tiranës konfirmoi sot masat e sigurisë arrest në burg për Sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, Drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin privat Alban Ruli. Të tre dyshohet të jenë përfshirë në një skemë për të shpërblyer në mënyrë të padrejtë, një person tjetër, Ilir Thanën, i arrestuar në muajin dhjetor, për një pronë për të cilën ai kishte marrë më parë paratë nga shteti.

Sekretari i përgjithshëm Gjokutaj, nuk u paraqit në gjykatë, duke qenë se është shtruar në spital për shkak të problemeve me zemrën. Avokatët mbrojtës të të akuzuarve për “Shpërdorim detyre” deklaruan gjatë seancës së sotme se klientët e tyre nuk kanë bërë asnjë shkelje, por se vetëm kanë ekzekutuar vendimet e gjykatës. Por pretendimet e tyre nuk u morën në konsideratë, dhe gjykatësja e çështjes, la në fuqi, kërkesën e prokurorit.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Tiranës, bëhet fjalë për një shumë prej afro 1.2 milion euro. Mbi 400 mijë euro ishin kaluar në llogarinë në emër të motrës së Thanës, prej të cilave më shumë se gjysma ishin tërhequr, ndërsa pjesa tjetër u bllokua, pas ndërhyrjes së prokurorisë. Gjithshka lidhet me një pronë shtetërore që ishte blerë nga Thana në vitin 1992, por që më pas i ishte riktheyr Drejtorisë së Shërbimeve qeveritare me vendim të Gjykatës e cila urdhëronte kthimin e pagesës së bërë nga Thana, të indeksuar sipas viteve që kishin kaluar nga momenti i blerjes.

Sipas prokurorisë, pagesa është kryer në vitin 2015, dhe shkelja e zyrtarëve ka të bëjë me faktin se kanë urdhëruar kryerjen e një pagese të re, për të njejtin objekt, me një vlerë të rishikuar sipas çmimeve aktuale të pronave të patundshme. Prokuroria ka vërejtur madje, se Gjokutaj dhe Hoxha, kanë vijuar procedurat, ndonëse kanë marrë dijeni me shkrim, nga Drejtori, brenda ministrisë, se Thana është paguar që në vitin 2015, dhe nuk mund të përfitonte një vlerë të dytë.

Prokuroria ka bërë të ditur se ajo vijon hetimet dhe për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve të tjerë. Ministria e Finacave, deri më tani ka heshtur për arrestimin e Gjokutajt dhe Hoxhës, ndonëse bëhet fjalë për Sekretarin e Përgjithshëm, figura kryesore e një institucioni pas ministrit si dhe një drejtor Drejtorie.

XS
SM
MD
LG