Lisa Marie Presley pësoi arrest kardiak të enjten në mëngjes. Pas telefonatës urgjente mjekët mbërritën menjëherë në rezidencën e saj për t’i dhënë ndihmën e parë.
“Mjekët vlerësuan se pacientja nuk kishte më shenja jete, para se ta dërgonin ne spitalin e afërt West Hills”, njoftoi Komisariati i Los Angelesit, nëpërmjet një deklarate.
“Me zemër të thyer duhet të ndaj lajmin se vajza ime e mrekullueshme Lisa Marie na la," tha përmes një deklarate të enjten Priscilla Presley. "Ajo ishte gruaja më pasionante, më e fortë dhe më e dashur që unë kam njohur".
Të martën, Lisa Marie dhe familja e saj kishte marrë pjesë në ndarjen e çmimeve Golden Globes ku ajo duatrokiti vlerësimin me çmim të aktorit Austin Bautler i cili intepretoi rolin e Elvis Presley në dramën muzikore “Elvis“.
“Ajo vetë ishte ikonë. Ishte vajza e vetme e Elvisit dhe Priscillas. Ishte ajo lidhja e fortë pas së cilës kërkonin të kapeshin plot dëshpërim adhuruesit e Elvis Presley. Ajo trashëgoi rezidencën Graceland, në moshën 25 vjeçare, diçka që i ati e donte shumë. Dhe e dini, ndryshe nga shumë fëmijë të personave të njohur në ditët e sotme, ajo ndoqi rrënjët e saj, ndoqi gjurmët e të atit dhe famën e tij. Por në të njëjtën kohë ajo punoi fort për të ndjekur edhe rrugën e vet”, thotë Melody Chiu nga revista People .
Më herët, gjatë kësaj jave, Lisa Marie ishte në Memfis, në Tenesi, në Grejsland, rezidenca ku jetoi dhe vdiq babai i saj Elvis, për të përkujtuar ndarjen e tij nga jeta, më 8 janar.
“Sot ai do të kishte bërë 88 vjeç. Është e vështirë ta besosh. Mendoj se ai do të ishte krenar. Mendoj se ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Filmi ishte i jashtëzakonshëm. Jam shumë krenare për këtë. Shpresoj të jeni dhe ju. E vlerësoj shumë. Po mendoja se çfarë do të thoja këtu. Nuk kisha planifikuar, nuk kisha shkruar asgjë. Është kaq prekëse të shoh se vini çdo vit këtu, nga anekënd botës. Është shumë prekëse për mua e familjen time. Faleminderit", tha Lisa Marie Presley.
Lisa Marie kishte dy fëmijë me ish bashkëshortin e saj Danny Keough, aktorin Riley Keough, 33 vjeç dhe Benjamin Keough, i cili vrau veten në vitin 2020 kur ishte 27 vjeç.
Ajo kishte dhe dy vajza binjake Harper dhe Finley Lockwood, me ish bashkëshortin Michael Lockwood.