Lidhje

Ligjvënësja nga Ohajo hyn në historinë e Kongresit si gruaja që ka shërbyer më gjatë 


Kur të fillojë sesioni i ri i Kongresit amerikan, ligjvënësja demokrate nga Ohajo, Marcy Kaptur do të bëhet gruaja që ka shërbyer më gjatë në historinë e Kongresit. Megjithatë, edhe pas 40 vjetësh, ajo thotë se ndonjëherë i duket vetja si e huaj.

Ligjvënësja nga Ohajo hyn në historinë e Kongresit si gruaja që ka shërbyer më gjatë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Marcy Kaptur ka përfaqësuar për 40 vjet një distrikt të populluar nga njerëz të klasës punëtore në Ohajo–njerëz që shumë kolegë të saj i kanë harruar.

"Është një barrë që e kam mbajtur gjatë gjithë karrierës sime. Është problem në të dyja partitë, sepse udhëheqja ka prirjen të vijë nga zonat më të zhvilluara të Amerikës dhe ne këtu në pjesën qendrore të vendit nuk kuptohemi sa duhet", thotë ajo.

E zgjedhur për herë të parë në Kongres në vitin 1982, ligjvënësja Kaptur do të vendosë rekordin si ligjvënësja grua që ka shërbyer për periudhën më të gjatë në Dhomën e Përfaqësuesve ose Senatit, e duke lënë pas ish-senatoren Barbara Mikulski, një demokrate nga Merilendi, e cila doli në pension në fund të vitit 2017.

Ligjvënësja Kaptur i kupton mirë shqetësimet e klasës punëtore. Nëna e saj ishte organizatore sindikatash në një fabrikë në Toledo dhe babai i saj kishte një dyqan ushqimor në lagje. Kaptur, 76, jeton ende në shtëpinë modeste njëkatëshe ku u rrit.

Gjithmonë e gatshme për të sfiduar drejtuesit e partive, zonja Kaptur është anëtare në Komisionin që përcakton fondet për financimin e qeverisë në Dhomën e Përfaqësuesve, por ajo kurrë nuk është ngjitur në poste drejtuese në Kongres.

“Kongresi, në vend që të jetë një institucion legjitim debati, është bërë një teatër që njerëzit e përdorin për të luajtur me median dhe ndodhin gjëra që nuk do të kishin ndodhur kurrë më parë kur kishte debate private. Tani kemi njerëz që luajnë para kamerave”, thotë

Ajo dhe demokratët nga pjesa qendrore e vendit janë ankuar se partia e tyre favorizon ata që vijnë nga zonat e pasura të vendit. Pas zgjedhjeve afatmesme në nëntor, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve zgjodhën drejtuesit e rinj dhe pesë më kryesorët vijnë nga Nju Jorku, Kalifornia, Masaçusets dhe Karolina e Jugut.

Për të ilustruar më tej këtë fakt, ligjvënësja Kaptur solli një tabelë që tregon të ardhurat mesatare të familjeve për çdo distrikt të kongresit. Demokratët përfaqësonin 40 nga 50 rrethet më të pasura të vendit.

Zonja Kaptur nuk është e vetmja demokrate që dëshiron të sigurohet që partia të mos harrojë shtetet si Miçigani, Ohajo dhe Viskonsin që kanë qenë jetike për zgjedhjet kombëtare.

Ligjvënësja e Miçiganit, Debbie Dingell, e cila kohët e fundit u anashkalua nga kolegët demokratë për një post drejtues, dëshiron të bashkojë pjesëtarët e shteteve qëndrore nga partia e saj për t'u siguruar që zëri i tyre të dëgjohet. Bashkëshorti i saj, John Dingell, i cili vdiq në vitin 2019, shërbeu 59 vjet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe është ende anëtari që shërbeu më gjatë në Kongres në historinë e SHBA.

Zonja Kaptur tha se Kongresi dhe vendi duhet të gjejnë mënyra për të riinvestuar dhe për të siguruar rritje ekonomike në vendet që janë braktisur nga mungesa e prodhimit.

Shumë nga kolegët e saj nuk e kuptojnë këtë dhe janë të shkëputur nga njerëzit që janë në vështirësi, tha ligjvënësja Kaptur.

"Kongresi në tërësi nuk ka domosdoshmërisht perspektivën time sepse unë vij nga një vend tjetër në Amerikë. Ata nuk janë mësuar me njerëz si ne".

Kur zonja Kaptur mbërriti në Uashington, ajo ishte një nga 23 gratë në Kongres. Në Kongresin e ri do të ketë një numër rekord prej 149 grash, por që ende përfaqësojnë më pak se 30% të të gjitha vendeve.

Ligjvënësja Kaptur thotë se është krenare për gratë me të cilat ka shërbyer dhe për faktin se Kongresi është shumë më i larmishëm për sa i përket racës, përkatësisë etnike dhe gjinisë. Por ajo shton se nuk ka hyrë në politikë sepse është grua. "Unë gjithmonë them se kam kandiduar si një person nga klasa punëtore," tha ajo.

XS
SM
MD
LG