Lidhje

Shqipëria i bashkohet regjistrimit ndërkombëtar të shpendëve ujorë


Shqipëria i bashkohet regjistrimit ndërkombëtar të shpendëve ujorë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Shqipëria i bashkohet regjistrimit ndërkombëtar të shpendëve ujorë

Në Lagunën e Karavastasë specialistët e zonave të mbrojtura dhe ekipe vullnetarësh mjedisorë kanë nisur në mëngjes herët regjistrimin e shpendëve dimërorë të ujit.

Në rreth 30 ligatina të vendit ky është viti i tridhjetë kur Shqipëria përfshihet në këtë proçes që kryhet çdo vit në më shumë se 144 vende dhe mbi 25 mijë habitate të ndryshme ujore, thotë ornitologu i njohur shqiptar Taulant Bino.

“Shumë ekipe janë shpërndarë në 30 ligatina kryesore të Shqipërisë dhe synimi kryesor është numërimi i shpendëve të ujit të pranishëm në këto ligatina. Kjo është ditëlidja e tridhjetë e numërimit të shpendëve në Shqipëri. Ka nisur që në vitin 1993 me një ekip të vogël hollandez dhe shqiptar dhe më pas specialistët shqiptarë kanë marrë iniciativën dhe kryhet në mënyrë të vazhdueshme".

Drejtori i Parkut Kombëtar Divjakë -Karavasta Ardian Koçi thotë se të dhënat janë mjaft të rëndësishme për të parë ndryshimet në mjedis dhe situatën e ligatinave.

“Të gjitha të dhënat që ne marrim nga numërimi konvergojnë në një qendër ndërkombëtare dhe në bazë të të dhënave dhe krahasimit me vitet e shkuara arrihet në përfundim se si kanë ndikuar ndryshimet mjedisore në popullata të ndryshme të shpendëve ujorë dimërues.”

Ligatinat shqiptare përgjithësisht vazhdojnë të ruajnë një karakter natyror që është i rrallë në vendet e tjera të botës , pasi në vendet e Evropës shumica janë ligatina artificiale. Shqipëria e ka këtë avantazh sepse një pjesë e lumenjve janë ende të paprekur nga dora e njeriut dhe krijojnë degëzime dhe përmbytje duke krijuar edhe ligatina të reja, thotë zoti Bino. Ai flet edhe për problemet në ligatinat shqiptare.

"Një pjesë e ligatinave shqiptare ka probleme madhore siç mund të jetë shqetësimi njerëzor, afrimi i urbanizimit pranë qendrave të shpërndarjes së botës së egër si dhe probleme të tjera të ndotjes. Këtu jemi në një sipërfaqe bujqësore. Patjetër në bujqësi përdoren lëndë organike, inorganike, pesticide të cilat kontribuojnë në përkeqësimin e cilësisë së ujrave të lagunave tona".

Ndërsa lidhur me situatën e popullatave të shpendëve këtë vit drejtori i Parkut Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi, thotë se ajo është e ndryshme dhe duhet parë në kommpleks .

“Kemi pasur ngritje, kemi pasur ulje, duhet parë më në kompleks situata. Deri para dy tre ditësh që ne kemi monitoruar vazhdimisht, situata në Parkun Divjakë- Karavasta, ku edhe ne jemi fokusuar sot si ligatina më e madhe në Shqipëri, duket me një numër të kënaqshëm të shpendëve ujorë dimërues.”

Nga regjistrimet, Shqipëria strehon mesatarisht çdo vit rreth 165 mijë shpendë dimërues të ujit me rreth 95 specie të ndryshme . Vit pas viti biologët kanë parë edhe lloje të reja që i shtohen pasurisë së faunës së Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG