Lidhje

Los Anxhelos, orkestra që u jep një shans të rinjve afrikano-amerikanë


Çdo vit, festimi i Ditës së Martin Luther Kingut është shumë i veçantë për Kishën Metodiste Holman United në jug të Los Anxhelosit. Martin Luther Kingu predikoi këtu një muaj para vrasjes së tij në vitin 1968. Këtë vit Orkestra Rinore e Los Anxhelosit po interpreton në kishë, variante korale dhe orkestrale të fjalimit të famshëm të tij, "Unë kam një ëndërr" dhe po vë për herë të parë në skenë një pjesë nga poema e Amanda Gormanit "Kodra që po përshkojmë”.

“Kjo poezi sjell tek unë një ndjesi shumë pozitive sepse sikurse shkruhet në vargje, edhe unë jam një vajzë me ngjyrë, që rrjedh nga skllevërit dhe thjesht përshkruan se sa kemi arritur si popull dhe si komb”, thotë Amber Daughtry, pjesëtare e orkestrës

Charles Dickerson është autori i të dy pjesëve që po vihen në skenë. Një dirigjent profesionist për më shumë se 40 vjet, ai kujton se si në verën e vitit 2009 muzikantë të rinj nga Los Anxhelosi i Jugut - i njohur për popullsinë kryesisht afrikano-amerikane - iu qasën duke i kërkuar të krijonte një orkestër rinore.

“Ka orkestra të rinjsh në të gjithë Shtetet e Bashkuara, shumica e tyre janë në periferi, jo në zonat e brendshme të qytetit, ka në zonat ku ka pasuri të madhe, që nuk janë të larmishme. Nuk ka orkestra të rinjsh në mes të lagjeve të varfra, sepse këtu jetojnë këta të rinj, dhe ata mund të interpretojnë po aq mirë, pse jo edhe më mirë”, thotë dirigjenti.

Nga nëntë anëtarë 13 vjet më parë, Orkestra Rinore e Los Anxhelosit ka sot 75 anëtarë.

Duke qenë një organizatë jofitimprurëse, orkestra nuk u kërkon pagesë pjesëtarëve dhe madje mund t'u sigurojë atyre instrumente. Orkestra pranon muzikantë që nga mosha 10 vjeç, por pjesa më e madhe e trupës janë 11 deri në 18 vjeç.

Orkestra ka arritur të realizojë një numër të madh shfaqjesh të nivelit të lartë.

“Kam luajtur për zonjën Michelle Obama, kam luajtur në Uashington, kam luajtur në Hollywood. Kam takuar kaq shumë njerëz të ndryshëm, njerëz të rëndësishëm dhe kam fituar kaq shumë përvojë”, thotë Jordan Busa.

Pavarësisht se është orkestra më e madhe me shumicë afro-amerikane në SHBA, trupa mirëpret edhe muzikantë të etnive të tjera.

“Ky grup më ka ndihmuar bëhem ky që jam sot dhe të zbuloj se dua të vazhdoj të jem muzikant klasik. E bukura e kësaj orkestre është se tregon se pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, nëse ke një mundësi në muzikën klasike, edhe nëse je afrikano-amerikan, apo çdo lloj grupi, je i mirëpritur”, thotë Luis Jimenez.

Vizioni i zotit Dickerson për të ardhmen përfshin krijimin e orkestrave të ngjashme në çdo qytet të Shteteve të Bashkuara ku ka një numër të konsiderueshëm të rinjsh me ngjyrë. Aktualisht ai është duke krijuar Orkestrën Rinore të Jugut të Çikagos.

XS
SM
MD
LG