Lidhje

Universiteti i Kolumbias emëron presidenten e parë grua, ekonomisten Nemat Shafik


Universiteti i Kolumbias emëroi si presidente ish-zëvendës guvernatoren e Bankës së Anglisë dhe aktualisht presidente e Universitetit Ekonomik të Londrës, Nemat "Minouche" Shafik.

Kjo është hera e parë që institucioni prestigjioz akademik amerikan zgjedh një grua si presidente.

Zonja Shafik, një ekonomiste karriera e të cilës është përqendruar në politikën publike dhe studimet akademike, do të jetë presidentja e njëzetë e Universitetit të Kolumbias duke nisur nga 1 korriku, tha institucioni përmes një deklarate të mërkurën.

Zonja Shafik e nisi karrierën e saj në Bankën Botërore, duke u bërë nënpresidentja më e re e këtij institucioni, në moshën 36 vjeçare. Ajo më vonë shërbeu edhe si zëvendës drejtore ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe si zyrtare e lartë në Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar të Mbretërisë së Bashkuar.

Emërimi i zonjës Shafik vjen pasi institucione të tjera arsimore kanë emëruar kohët e fundit gra në krye të universiteteve kryesore, përfshirë Universitetin e Harvardit, i cili muajin e kaluar emëroi Claudine Gay si presidente. Ajo u bë gruaja e parë afro-amerikane që mban postin kryesor të Harvardit.

Jonathan Lavine, kryetar i Bordit të Univesitetit të Kolumbias, e cilësoi zonjën Shafik, 60 vjeç, si “kandidaten e përsosur”.

“Ajo që e veçoi zonjën Shafik si kandidate ishte besimi i saj i patundur në rolin jetik që institucionet e arsimit të lartë mund dhe duhet të luajnë për t’i dhënë zgjidhje problemeve më komplekse të botës," shtoi zoti Lavine.

Zonja Shafik ka lindur në Aleksandri, në Egjipt.

XS
SM
MD
LG