Lidhje

Lajçak në Prishtinë: Kemi pritur më shumë mirëkuptim për propozimin evropian


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak tha të premten në Prishtinë se ka pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë që i ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Lajçak i shoqëruar edhe nga i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni zhvilloi një takim më shumë se dy orësh me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për të nxitur bisedimet Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve në dritën e propozimit evropian që u i njohur si nisma franko-gjermane.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, sepse siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them, por dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha zoti Lajçak.

Zoti Lajçak tha se vet përbërja e delegacionit është një sinjal se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë të përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se takimi me kryeministrin e Kosovës nuk ishte i lehtë por ishte i sinqertë dhe shumë i hapur.

Propozimi evropian për të cilin diplomatët do të bisedojmë më vonë gjatë ditës në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, por përkushtimin e të dyja palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar se propozimi është një çështje për të cilën duhet biseduar dhe menduar, por nuk është i sigurt se ai mund të jetë i pranueshëm.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i tha Zërit të Amerikës në fillim të këtij muaji se propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme.

Propozimi mes tjerash synon të sigurojë zbatimin të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kosova po përballet me trysni ndërkombëtare që të hedh hapa për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është edhe çështja më e diskutueshme në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Diplomatët perëndimorë po kërkojnë nga Kosova që të hartojë një propozim për mënyrën e funksionimit të këtij asociacioni.

Por zyrtarët në Kosovë thonë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk mund të bëhet një etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Përfaqësuesit politik të serbëve në veriun e Kosovës thonë se nuk do të kthehen në institucione të cilat i braktisën mes tensionesh në nëntor të vitit të kaluar derisa të formohet Asociacioni i komunave në përputhje me marrëveshjen e parë të arritur në Bruksel.

Për gati 12 vjet Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe kanë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, por sfidë mbetet zbatimi i tyre që ka çuar shpesh edhe në tensione të larta si ato të vitit që lamë pas.

XS
SM
MD
LG