Ministri i ri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, përfundoi turneun e tij të parë në Afrikë këtë javë, gjatë së cilës ai vizitoi pesë vende. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Kate Bartlett nga Johanesburgu, ministri Qin Gang theksoi se Kina nuk e sheh kontinentin si një qendër të re të konkurrencës mes Perëndimit dhe Pekinit.
Për më shumë se tre dekada, ka qenë traditë që udhëtimi i parë jashtë vendit i kryediplomatit kinez të jetë në Afrikë. Edhe ministri i ri i Jashtëm Qin Gang e respektoi këtë traditë.
Pekini, në vitet e fundit, ka investuar shumë në projekte infrastrukturore në kontinentin e Afrikës përmes nismës “Një Brez, Një Rrugë”.
Disa analistë thonë se Shtetet e Bashkuara tani janë mbrapa në konkurrencën me Kinën në marrëdhëniet e tyre me Afrikën. Në dhjetor, presidenti amerikan Joe Biden ishte mikëpritës i një takimi me udhëheqësit afrikanë në Uashington.
Kina nuk e sheh veten në konkurrencë me Shtetet e Bashkuara në Afrikë, tha ministri Qin Gang gjatë vizitës në Etiopi.
"Afrika ka nevojë për solidaritet dhe bashkëpunim, jo konfrontim mes fuqive. Asnjë person, apo vend nuk ka të drejtë të detyrojë vendet afrikane, apo popullin afrikan të mbajë anën e një blloku", tha ai për televizionin shtetëror kinez.
Në Etiopi, ministri i jashtëm kinez inauguroi Qendrën e re Afrikane për Kontrollin e Sëmundjeve, ndërtimi i së cilës kushtoi 80 milionë dollarë dhe ishte dhuratë e Kinës.
Hapja e kësaj qendre në Afrikë ishte një fitore diplomatike për Kinën, thotë Paul Nantuyla nga Qendra Afrikane për Studime Strategjike.
"Vizita e ministrit Qin Gang synoi të dërgonte disa mesazhe strategjike. Mesazhi i parë është se marrëdhënia mes Kinës dhe Afrikës është e qëndrueshme, e shumëanshme dhe e ankoruar mirë", thotë analisti Paul Nantulya.
Ministri i jashtëm Qin Gang njoftohet se kishte rënë dakord të falte një shumë të caktuar të borxhit të Etiopisë dhe kishte premtuar ndihmë për rindërtimin e rajonit verior Tigrej, pas përfundimit të një lufte civile dyvjeçare atje. Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan i kërkoi Kinës të mbështesë organin rajonal në përpjekjet për të siguruar një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Kontinenti afrikan, me 1.3 miliardë banorë dhe 54 shtete anëtare, ka të drejtën të jetë anëtar i kësaj qeverisjeje ndërkombëtare dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit”, thotë Moussa Faki Mahamat, kryetar i Komisionit të Bashkimit Afrikan.
Nga Etiopia, ministri i jashtëm kinez udhëtoi në Benin dhe Gabon, që analistët thonë se ishte në përputhje me qëllimin e Kinës për të zgjeruar nismën “Një Brez, Një Rrugë” në rajonet frankofone të Afrikës Perëndimore.
Ai u ndal në Angola, një partner kyç i sigurisë dhe më pas udhëtoi për në Egjipt, një vend me rëndësi strategjike për Kinën për shkak të investimeve të shumta atje, duke përfshirë kryeqytetin e ri administrativ që po ndërtohet jashtë Kajros dhe Kanalin e Suezit.
Ministri i jashtëm kinez Qin Gang zhvilloi takime jo vetëm me zyrtarë të qeverisë egjiptiane, por edhe me ata të Lidhjes Arabe, duke shprehur dëshirën e tij për t'i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez. Analistët thonë se zoti Gang mund të ketë një qasje të ndryshme në krahasim me paraardhësit e tij.
“Kur ai ishte ambasador në SHBA, ai njihej për ashpërsinë në disa nga deklaratat e tij. Ndoshta ai është larguar nga Shtetet e Bashkuara me perspektivën e tij nga angazhimi në ato qarqe politikash. Kështu që ndoshta ai ka disa këndvështrime dhe pikëpamje krejt të ndryshme mbi diplomacinë globale", thotë Lauren Johnston nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare të Afrikës së Jugut.
Ndërsa ministri kinez Qin Gang u largua nga Afrika, Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen mbërriti për një vizitë në tre vende të kontinentit, duke sinjalizuar rëndësinë gjeopolitike të Afrikës.