Lidhje

Britania: Ukraina duhet të marrë tanke të prodhimit gjerman


Britania thotë se duhet një marrëveshje ndërkombëtare për t'i siguruar Ukrainës tanke të prodhimit gjerman, të cilat Kievi i konsideron si mjaft të rëndësishme në luftën kundër Rusisë. Por ministri i Jashtëm britanik James Cleverly tha të dielën se në mënyrë që këto tanke t'i dërgohen Ukrainës, kërkohet pëlqimi i Gjermanisë.

Javën e kaluar aleatët perëndimorë premtuan miliarda dollarë në ndihmë ushtarake por nuk arritën të bindin Gjermaninë të heqë veton për sigurimin e tankeve të betejës 'Leopard' për Ukrainën. Këto tanke posedohen nga një sërë vendesh të NATO-s, por për dërgimin e tyre atje, kërkohet miratimi i Berlinit.

Tanket 'Leopard' shihen nga ekspertët e mbrojtjes si më të përshtatshmet për Ukrainën.

"Do të doja të shihja ukrainasit të pajisen me mjete ushtarake si tanket 'Leopard 2' si dhe sistemet e artilerisë që janë siguruar nga ne dhe nga vende të tjera", tha zoti Cleverly gjatë një interviste për 'Sky News'.

"Do të vazhdoj të bisedoj me aleatët dhe miqtë tanë të NATO-s, për të lehtësuar dhurimin e pajisjeve më të mira ushtarake për Ukrainën për t'i ndihmuar ata të mbrohen kundër agresionit brutal të Rusisë".

I pyetur nëse Gjermania po bënte mjaftueshëm për të ndihmuar Ukrainën zoti Cleverly tha se vendet duhet të shkojnë aq larg sa munden e secili duhet ta mbështesë Ukrainën në mënyrën që e konsideron si më të përshtatshme.

Gjatë një takimi të premten sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u bëri thirrje aleatëve që të bëjnë më shumë për të mbështetur Ukrainën. Vendet perëndimore u zotuan t'i dërgojnë Kievit sasi të mëdha armësh, por nuk arritën të marrin një vendim për furnizimin e tij me 'Leopard 2'.

Partia Social Demokrate e kancelarit gjerman Olaf Scholz është treguar tradicionalisht skeptike ndaj përfshirjes ushtarake dhe e kujdesshme për përshkallëzimin e mëtejshëm në konfliktin në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit tha të premten se vendet perëndimore që furnizojnë Ukrainën me tanke shtesë, nuk do të arrijnë të ndryshojnë rrjedhën e konfliktit dhe se ajo çka po bëjnë, është vetëm shtimi i problemeve për popullin ukrainas.

XS
SM
MD
LG