Lidhje

Erdogan flet kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO 


Turkey Sweden Finland Explainer

Presidenti i Turqisë Recep Tajip Erdogan tha dje se Suedia nuk duhet të presë mbështetjen e Ankarasë për përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO, pas protestave të fundjavës në Stokholm nga një aktivist anti-islamik dhe grupet pro-kurde, duke vënë në rrezik zgjerimin e aleancës ushtarake. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni mbështet plotësisht anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Erdogan flet kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan kritikoi ashpër aktivistin Rasmus Paludan për djegien e Kuranit të shtunën, duke thënë se veprimi i tij ishte një fyerje për të gjithë, veçanërisht për myslimanët.

“Nën mbrojtjen e forcave tuaja të sigurisë dhe policisë ju keni bërë këtë tradhti, paturpësi dhe poshtërsi. Është e qartë se ata që lejuan këtë të ndodhte para ambasadës sonë, nuk mund të presin më asnjë mbështetje nga ne në lidhje me aplikimin e tyre për anëtarësim në NATO. Këtë e thamë në fillim. Pra, ju po lejoni organizatat terroriste të veprojnë në rrugët tuaja dhe më pas prisni mbështetjen tonë për të hyrë në NATO. Kjo nuk do të ndodhë”, tha zoti Erdogan.

Ai ishte veçanërisht i indinjuar nga autoritetet suedeze që lejuan që protesta të zhvillohej jashtë ambasadës turke në Stokholm. Presidenti turk kritikoi gjithashtu Suedinë për lejimin e protestave pro-kurde.

Qeveria suedeze është përpjekur të distancohet nga protestat, por ka këmbëngulur se ato lejohen në bazë të ligjeve të vendit për respektimin e lirisë së shprehjes.

Turqia reagoi me zemërim ndaj protestave, duke anuluar planet për një vizitë në Ankara të ministrit suedez të mbrojtjes.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në përgjigje të komenteve të Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO, tha se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar.

“Finlanda dhe Suedia janë gati të bëhen aleatë të NATO-s. Ndërsa procesi i anëtarësimit vazhdon, Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Finlandës në reagimin e tij ndaj komenteve të zotit Erdogan la të kuptohej se Helsinki mund të shqyrtonte mundësinë e anëtarësimit në NATO pa Suedinë.

“Ne duhet ta vlerësojmë situatën nëse aplikimi i Suedisë zvarritet për një kohë të gjatë”, tha sot ministri i jashtëm finlandez Pekka Haavisto për kanalin finlandez YLE. Më vonë ai u tërhoq, duke thënë në një konferencë me gazetarë në Parlamentin e Finlandës se komentet e tij nuk kishin qenë të sakta dhe se ambiciet e Finlandës për anëtarësim në NATO së bashku me Suedinë mbeten të pandryshuara. Ai tha se kishte biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili e kishte theksuar dëshirën e aleancës ushtarake për të pranuar njëkohësisht në gjirin e saj dy vendet nordike.

Kërkesat e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO duhet të miratohen nga të gjitha vendet anëtare të saj, duke përfshirë Turqinë, e cila deri më tani ka bllokuar zgjerimin e aleancës, duke thënë se Suedia duhet të arrestojë militantët kurdë dhe simpatizantët e tyre në vend.

XS
SM
MD
LG