Lidhje

Tiranë, arrestohet ish zyrtarja së cilës i vodhën mbi 150 mijë dollarë në banesë


Prokuroria e Tiranes
Prokuroria e Tiranes

Në Tiranë, prokuroria arrestoi ish zyrtaren Alda Klosi për deklarim të rremë të pasurive, pastrim parash dhe deklarata të rreme përpara policisë, 3 javë pasi arrestoi pastruesen Rozeta Dobi dhe të birin, si të dyshuar për vjedhjen në banesën e saj të 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë.

Prokuroria e kryeqytetit njoftoi se ka vazhduar hetime të shumta për vjedhjen e banesës me qera të ish zyrtares Klosi si dhe për 404 mijë eurot e tjera të zbuluara në banesën e Rozeta dhe Havier Dobit.

Arrestimi i tretë erdhi pas dyshimeve se pastruesja Dobi dhe ish zyrtarja Klosi e kishin inskenuar së bashku vjedhjen e banesën për të fajësuar bashkëshortin e kësaj të fundit. Sipas burime nga organet e hetimit, në dëshminë e pastrueses Dobi përmenden çanta dhe kuti me para’ të sjella në banesë nga persona të ndryshëm, të cilat ish zyrtarja Klosi ia kishte besuar pastrueses për t’ja ruajtur pas grindjeve me bashkëshortin.

Zonja Klosi nuk i ka përfshirë këto para’ në deklarimin e pasurisë dhe dyshohet se ka edhe pasuri të tjera të fshehura.

Në denoncimin e parë për vjedhjen ajo njoftoi policinë për zhdukjen nga banesa të disa sendeve me vlerë dhe shuma të vogla të hollash, por më pas shtoi se kishte humbur 120 mijë euro, që i përkisnin xhaxhait.

Ish zyrtarja Klosi ka mbajtur funksione të larta në administratë, si ish drejtoreshë e koncensioneve në ministrinë e Financave deri në korrik të 2022, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për të kaluar më pas në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare.

Ndaj, mbetet për t’u parë nëse çështja do të vazhdojë në Prokurorinë e Tiranës, apo do t’i kalojë Prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar SPAK.

XS
SM
MD
LG