Presidenti Joe Biden priti të premten në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e majtë të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva.
Të dy udhëheqësit e nisën takimin para gazetarëve duke folur për vlerat e tyre të përbashkëta në luftën kundër ndryshimeve klimatike si dhe mbrojtjen e demokracisë, në kushtet e një autoritarizmi në rritje.
"Ne duhet të vazhdojmë të ngrihemi për vlerat demokratike që përbëjnë thelbin e forcës sonë", i tha Presidenti Biden homologut të tij Lula përpara një takimi mes tyre pa praninë e medias, duke shtuar se të dy ishin në "të njëjtën linjë" për sa i takon "krizës mbi klimën".
Marrëdhëniet midis dy vendeve u tensionuan gjatë periudhës që vendi drejtohej nga Presidenti Bolsonaro, një përfaqësues i ekstremit të djathtë.
Zoti Bolsonaro fluturoi për në Florida dy ditë para përfundimit të mandatit të tij më 1 janar 2022, pasi kishte sfiduar rezultatet e balotazhit të 30 tetorit, që e nxirrin atë humbës përballë zotit Lula. Disa ditë më vonë, mbështetës të zotit Bolsonaro, që mohonin rezultatin e zgjedhjeve, sulmuan me dhunë pallatin presidencial në Brazil, Kongresin dhe Gjykatën e Lartë të vendit.
Brazili "u vetëmargjinalizua për katër vite" nën ish-presidentin, tha zoti Lula në Shtëpinë e Bardhë, pa përmendur me emër zotin Bolsonaro.
Bota e tij, tha zoti Lula, niste e përfundonte me lajme të rreme nga mëngjezi në darkë, një koment që e bëri të qeshë Presidentin Biden e të ndërhyjë duke thënë: "Tingëllon si diçka e njohur".
Zoti Lula tha se Brazili po përpiqet të ripozicionohet në botë dhe se të dy vendet, nuk duhet të lejojnë më kurrë ato lloj sulmesh sikurse ai i mbështetësve të zotit Bolsonaro muajin e kaluar apo sulmin në Kapitol më 6 janar 2021, sulm që synoi të bllokonte procesin e çertifikimit të fitores në zgjedhje, të zotit Biden.
Zoti Lula tha gjithashtu se të dy udhëheqësit mund të punojnë së bashku për të luftuar pabarazinë dhe ndryshimet klimatike.
Dy udhëheqësit nuk pritet të bien dakord për luftën në Ukrainë, duke pasur parasysh rolin neutral që ka marrë Brazili mbi këtë çështje. Presidenti Lula tha se dëshiron të shohë një paqe të negociuar për Ukrainën me përfshirjen e aktorëve më neutralë globalë.
Zoti Lula mbrojti vendimin e tij për të mos dërguar municione artilerie të prodhimit gjerman, të kërkuara për mbrojtjen e Ukrainës. "Nëse do të dërgoja municione, do t'i bashkohesha luftës. Nuk dua të bashkohem me luftën. Unë dua paqe", tha ai më herët në një intervistë për CNN.
Përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë zoti Lula u takua me senatorin Bernie Sanders dhe ligjvënës të tjerë demokratë.