Lidhje

Senatori Fetterman kërkon ndihmë për depresionin, gjen mbështetje nga kolegët 


Fetterman
Fetterman

Kur Patrick Kennedy ishte në Kongres, ai herë pas here fshehurazi merrte trajtime për abuzimin me substancat gjatë festave mes angazhimeve të tij në Kongres. Ai refuzoi trajtimin për shëndetin mendor të rekomanduar nga mjekët e tij nga frika se ai do të intendifikohej nga të tjerët në spital.

John Kennedy, djali i senatorit demokrat të ndjerë Edward Kennedy, u detyrua të njoftonte publikun mbi vështirësitë e tij kur ai përplasi makinën jashtë Kapitolit, pasi kishte pirë ilaçe të forta të marra me recetë në maj të vitit 2006. Ai foli për shëndetin e tij mendor dhe abuzimin me substancat për herë të parë, dhe diçka befasuese ndodhi, popullariteti në zonën e tij elektorale u rrit, duke fituar garën për rizgjedhje me një diferencë më të madhe se në zgjedhjet e mëparshme.

Të enjten, zyra e senatorit demokrat të Pensilvanisë John Fetterman, i cili fitoi pas një fushate të fortë gjatë së cilës ai pësoi një goditje në tru, njoftoi se ai kishte shkuar vetë në spital për të marrë trajtim për depresionin. Deklarata thoshte se senatori Fetterman ka vuajtur nga depresioni për një kohë të gjatë, por gjendja e tij ishte rënduar në javët e fundit.

Vështirësitë e tij publike janë të jashtëzakonshme në një ndërtesë, ku pak njerëz flasin për shëndetin e tyre mendor, edhe pse ligjvënësit e të dyja partive kanë mbështetur projektligjet për të zgjeruar ndihmën për njerëzit e ndikuar nga këto sëmundje. Zoti Kennedy si dhe ata pak persona që kanë qenë të hapur për problemet e tyre, thonë se shpresojnë se sinqeriteti i senatorit Fetterman dhe veprimi i tij për të kërkuar ndihmë, do të ndihmojë në fillimin e një debati më të hapur mes ligjvënësve dhe votuesve mbi efektet e gjëra të pandemisë globale.

"Ky është një moment për ne për të mposhtur stigmën e depresionit dhe ankthit", tha ish-ligjvënësi Kennedy, i cili doli në pension në vitin 2010 dhe është bërë një figurë udhëheqëse për çështjen e shëndetit mendor. “Senatori Fetterman mund të bëjë më shumë për njerëzit duke pranuar se po merr ndihmë për depresionin sesa çdo projektligj që ai përfundimisht do të mund të propozonte”, tha ai.

Kirurgu i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murphy, përshëndeti senatorin Fetterman në Twitter, duke thënë se ai shpreson se "guximi i tij do të shërbejë si shembull i mirë për të tjerët".

Kolegët e senatorit Fetterman shprehën menjëherë mbështetjen e tyre për vendimin e tij për të marrë trajtim mjekësor për depresionin.

"Në çdo qytet dhe komunitet rural ka njerëz që po përballen me probleme të shëndetit mendor", tha senatorja e Minesotës Tina Smith, një demokrate që ndau historinë e saj me depresionit gjatë një senace në Senat katër vjet më parë. "Nëse ata shohin dikë tjetër, si senatorin John Fetterman, ata mund të inkurajohen të kërkojnë ndihmë mjekësore. Kjo mund të jetë e rëndësishme për njerëzit."

Senatori nga Dakota e Jugut, John Thune, republikani i dytë në rangun e udhëheqësve republikanë të Senatit, tha se ai mendon se politikanët janë bërë më të hapur në diskutimin e kësaj çështje pas fillimit të pandemisë.

"Diskutimi i hapur dhe transparentë i ndihmon njerëzit ta kuptojnë më mirët këtë dhe të ketë një mbështetje më të madhe për ata që vuajnë nga sëmundjet e shëndetit mendor", tha senatori Thune.

Shtrimi në spital i senatorit Fetterman vjen pas një viti të vështirë në të cilin 53-vjeçari pësoi një goditje në tru pak para zgjedhjeve paraprake të majit dhe kaloi pjesën më të madhe të verës jashtë fushatës, duke u rikuperuar. Ai ka thënë se goditja në tru për pak sa nuk e vrau. Ai gjithashtu iu nënshtrua një operacioni për të vendosur një stimulues kardiak me një defibrilator për të menaxhuar dy sëmundje të zemrës, fibrilacionin atrial dhe kardiomiopatinë. Ai filloi punën në Senat në janar, ku i është dashur të përshtatet me jetën në Uashington dhe me punën e përditshme të një senatori.

Depresioni pas goditjes në tru është i zakonshëm, thonë mjekët. Por kjo mund të jetë më e vështirë kur publiku i gjërë është i informuar për këtë, siç ndodhi me rastin e senatorit Fetterman.

“Të pësosh një goditje në tru në vetvete është shkatërruese dhe të rikuperohesh nga një goditje në sytë e të gjithë publikut vetëm sa e shton nivelin e stresit gjatë rikuperimit”, tha Dr. Bruce Ovbiagele, dekan i asociuar dhe profesor i neurologjisë në Universitetin e Kalifornisë-San Francisko.

Dr. Eric Lenze, kreu i Departamentit të Psikiatrisë në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis, thotë se është “interesante dhe heroike” që një figurë politike të pranojë se ka depresion, “në vend që të thotë se po e shtrojnë në spital për lodhje apo të përpiqet ta fshehë atë”.

Ndërsa shumë ligjvënës ende nuk duan të flasin për veten ose vështirësitë e tyre, disa kanë qenë më të hapur për sëmundjet mendore vitet e fundit. Ligjvënësja nga Pensilvania, Susan Wild, deklaroi gjatë nj; seance në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2019 se vetëvrasja është një "emergjencë kombëtare" dhe tregoi historinë e partnerit të saj, i cili kohët e fundit kishte vrarë veten. Ligjvënësi Ritchie Torres, i cili u zgjodh në vitin 2020, ka thënë se ai e braktisi universitetin dhe ndonjëherë mendoi të vetëvritej pasi luftoi me depresionin, abuzimin me substancat dhe pikëllimin pas humbjes së një shoku. Zonja Smith tha se zbuloi se që kur tregoi historinë e saj të periudhave të depresionit si studente dhe nënë e re, njerëzit ende vijnë tek ajo për të folur për këtë.

Disa ligjvënës kanë qenë gjithashtu të hapur për frikën dhe ankthin e tyre pas sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, kur shumë prej tyre vrapuan për të shpëtuar jetën, dhe në muajt më pas kur tensionet mes dy palëve u përkeqësuan. Deputetët demokratë Dan Kildee nga Miçigani dhe Annie Kuster nga Nju Hempshër folën për trajtimin e stresit post-traumatik gjatë asaj kohe.

Sulmi i 6 janarit ishte një tjetër pikë kthese ndërsa vazhdonte pandemia në mbarë globin.

"Jetojmë në një kohë stresi dhe krize të jashtëzakonshme", tha ligjvënësi nga Merilendi, Jamie Raskin, i cili humbi djalin e tij nga vetëvrasja vetëm disa ditë para kryengritjes dhe që atëherë ka shkruar një libër për përvojën e tij. "Kemi kaluar një murtajë, kemi pasur probleme të jashtëzakonshme të shëndetit mendor dhe emocional".

Ligjvënësi Raskin, i cili së fundmi u diagnostikua me kancer, thotë se mund të ketë qenë një kohë kur udhëheqësit politikë duhej të pretendonin se vështirësitë nuk prekën familjet e tyre, "por unë nuk mendoj se po jetojmë në atë kohë".

Senatori nga Illinoi, Dick Durbin, i cili ka qenë në Senat për gati tre dekada, vlerëson veteranët e rikthyer nga lufta në Irak dhe konfliktet e tjera "të cilët na kanë bindur se ky është një kujdes i thjeshtë mjekësor i shëndeti mendor për të cilin shumë njerëz kanë nevojë herë pas here. Nuk ka asnjë familje të vetme që të mos jetë prekur prej saj”.

Senatori Durbin vlerësoi zotin Fetterman për sinqeritetin. "Kjo është një sfidë, sfidë e paimagjinueshme, me të cilën ai është përballur në jetë", tha Senatori Durbin.

Zoti Kennedy thotë se kur u kthye pas shërimit të tij në mesin e viteve 2000, shumë nga kolegët kërkuan privatisht ndihmën dhe këshillat e tij. Dhe ai ka vazhduar të flasë me disa ligjvënës në dekadën që kur doli në pension.

Ai parashikoi se zoti Fetterman mund të gjente një "botë krejtësisht të re lidhjesh me zonën e tij elektorale" kur të kthehej në Senat dhe mund t'i ndihmonte njerëzit të kuptojnë shkencën e trurit pas depresionit.

"Ky është një moment me shumë mësime", tha zoti Kennedy.

XS
SM
MD
LG