Lidhje

Ish-presidenti Carter nën mbikëqyrje mjekësore në shtëpinë e tij në Xhorxhia 


Jimmy Carter Hospice Care
Jimmy Carter Hospice Care

Pas vendimit për të marrë kujdes shëndetësor në shtëpi, Qendra Carter, shoqata bamirëse e ish-presidentit Carter sot lëshoi një deklaratë, duke thënë se familja kërkon privatësi në këto momente. Ish-presidenti 98 vjeçar, së fundmi ka kaluar shumë kohë në spital për trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore.

Ish-presidenti Carter nën mbikëqyrje mjekësore në shtëpinë e tij në Xhorxhia
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter tani është nën mbikëqyrjen e mjekëve në shtëpinë e tij në Plains të Xhorxhias.

Qendra Carter tha përmes një deklarate se pas një numri trajtimesh në spital, zoti Carter “vendosi të vazhdonte trajtimet në shtëpinë e tij në vend së të vazhdonte t’u nënshtrohej ndërhyrjeve të tjera mjekësore. Ai ka mbështetjen e plotë të familjes dhe ekipit të tij mjekësor.”

Ndonëse ka bërë thirrje për privatësi, “familja e tij është mirënjohëse për shumë admirues të ish-presidentit që kanë shprehur shqetësimin e tyre” për gjendjen e tij shëndetësore, thuhet më tej në njoftimin e Qendrës Carter.

Njëri nga nipat e tij publikoi në Twitter një mesazh dje, duke thënë “Vizitova gjyshin dhe gjyshen dje. Si gjithmonë, ata janë në paqe dhe shtëpia e tyre është e mbushur me dashuri. Falënderoj të gjithë për mesazhet tuaja inkurajuese”.

98 vjeçari Carter është presidenti amerikan me jetën më të gjatë. Ai është ndeshur me një numër problemesh shëndetësore në vitet e fundit, përfshirë një operacion për trajtimin e një thyerje të legenit në vitin 2019 dhe melanomën në vitin 2015 që ishte përhapur në mëlçi dhe tru.

Carter është i vetmi president amerikan nga Xhorxhia. Ai ka shërbyer në postin e Presidentit nga viti 1977 deri në vitin 1981.

Pas largimit nga detyra, Jimmy Carter dhe bashkëshortja e tij Rosalynn hapën Qendrën Carter dhe për punën e tij në këtë organizatë ai fitoi çmimin Nobel të Paqes. Ai gjithashtu njihet për punën e tij me organizatën “Habitat for Humanity”, e cila ndërton shtëpi për njerëzit në nevojë.

Presidenti Biden i ka dërguar një mesazh lutjesh ish- presidentit Carter dhe familjes së tij.

Pas diagnostikimit të tij me kancer në vitin 2015, Presidenti Carter kishte thënë se “kam bërë një jetë emocionuese, me aventura dhe të kënaqshme”.

XS
SM
MD
LG