Lidhje

SHBA ka parë prova që Kina po shqyrton dërgimin e armëve në Rusi


Helikopterët kinezë duke marrë pjesë në një stërvitje ushtarake të përbashkët me Rusinë në vitin 2021
Helikopterët kinezë duke marrë pjesë në një stërvitje ushtarake të përbashkët me Rusinë në vitin 2021

Shtetet e Bashkuara kanë parë provat se Republika Popullore e Kinës po shqyrtojnë mundësinë për dërgimin e armëve të zjarrit në Rusi për përdorimin e tyre në luftën në Ukrainë. Uashingtoni e ka paralajmëruar drejtpërdrejt Kinën për pasojat, sipas një zyrtareje të lartë të Departamentit të Shtetit.

“Ne padyshim kemi arsye për t'u shqetësuar”, i tha Zërit të Amerikës në një intervistë të enjten Zëvendës Sekretarja e Shtetit Wendy Sherman. Ajo nuk dha detaje kur u pyet nëse ka prova se Pekini ka në plan të bëjë një gjë të tillë.

Zonja Sherman bisedoi të enjten me shefen e zyrës së Zërit të Amerikës në Departamentin amerikan të Shtetit, Nike Ching, ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës po i afrohej përvjetorit të parë të saj.

Zyrtarja e dytë më e lartë e Departamentit të Shtetit tha se SHBA-ja e ka paralajmëruar drejtpërdrejt Kinën për pasojat.

“Nëse Republika Popullore e Kinës ofron armë zjarri për Rusinë, atëherë ajo bëhet bashkëluftëtar në shumë mënyra dhe ... do të kishte pasoja”, tha zonja Sherman.

Disa ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha se vendi i tij do të pezullonte pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin e ri të kontrollit të armëve bërthamore START, Uashingtoni e dënoi një veprim të tillë si “të papërgjegjshëm”.

“Ne nuk presim që presidenti Putin do të përdorë armë bërthamore”, tha zonja Sherman.

* Kjo intervistë është redaktuar për të qenë më e qartë dhe më e përmbledhur.

Zëri i Amerikës: Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia do të instalojë raketat bërthamore Sarmat, duke rritur forcat e saj bërthamore. Kjo erdhi pasi zoti Putin tha se Rusia do të pezullonte pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START. Cili është vlerësimi i SHBA-së për këto lëvizje?

WENDY SHERMAN: Mendoj se është e dobishme t'i kushtohet vëmendje asaj që bën Rusia. Ata kanë thënë se e kanë pezulluar, jo ndërprerë pjesëmarrjen e tyre në traktatin e ri START. Do të shohim se çfarë veprimesh do të ndërmarrin. Presidenti Biden tha gjithashtu, se momentalisht, ne nuk presim që presidenti Putin do të përdorë armë bërthamore, diçka për të cilën shqetësohet e gjithë bota. Dhe të gjithë duhet të sigurohen dhe t'i thonë Presidentit Putin: Mos ndërmerr veprime të tilla, pasi kjo do të ndryshonte botën.

Zëri i Amerikës: Pra, ju mendoni se zoti Putin po e bën për tërhequr vëmendje dhe nuk e ka seriozisht kur flet për përdorimin e armëve bërthamore?

WENDY SHERMAN: Unë mendoj se ne duhet të shohim veprimet e tij, jo vetëm fjalët e tij. Mendoj se pezullimi i traktatit të ri START nuk do të thotë se ai do të përdorë armë bërthamore. Ai thjesht po ndërmerr një hap për të pezulluar të drejtën tonë për të inspektuar stoqet e njëri-tjetrit. Megjithatë, ai ka thënë se do të respektojë kufizimet e mbushjeve bërthamore për të cilat është rënë dakord, si dhe disa nga dispozitat e tjera. Pra, le të shohim se çfarë ndodh.

Zëri i Amerikës: A prisni që administrata Biden t'i japë Ukrainës avionët luftarakë F-16 dhe raketa me rreze të gjatë veprimi? Disa ligjvënës dhe senatorë janë shprehur në favor të kësaj.

WENDY SHERMAN: Ne e kuptojmë pse shumë duan që kjo të ndodhë, dhe sigurisht e kuptojmë pse Presidenti Zelenskyy dëshiron që çdo sistem armësh që ai mund të imagjinojë është i nevojshëm.

Megjithatë, unë mendoj se Presidenti Biden ka marrë vendime të menduara mirë, duke siguruar që armët që ne ofrojmë të përputhen me nevojat në fushën e betejës. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ukrainasit lidhur me nevojat e tyre. Pesëdhjetë vende në mbarë botën i kanë ofruar mbështetje Ukrainës, qoftë kjo ndihmë ekonomike, ndihmë humanitare apo armë.

Zëri i Amerikës: A besojnë Shtetet e Bashkuara se avionët F-16 dhe raketat me rreze të gjatë janë thelbësore për suksesin e Ukrainës në fushëbetejë?

WENDY SHERMAN: Presidenti po i shqyrton këto vendime hap pas hapi. Ai ka thënë se avionët F-16 nuk janë ndër armatimet që kemi të gatshme për t’i dërguar, për një numër arsyesh.

Zëri i Amerikës: Vizita e kryediplomati kinez Wang Yi në Moskë këtë javë shihet si një parapërgatitje për vizitën shtetërore të Presidentit kinez Xi Jinping në muajt e ardhshëm. A mund të flisni për rolin e Republikës Popullore të Kinës në luftën e Rusisë në Ukrainë?

WENDY SHERMAN: Jemi shumë të shqetësuar për këtë. Siç e dëgjuam, Sekretari Blinken tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih pas takimit me zotin Wang Yi, se i kishte thënë atij drejtpërsëdrejti që nëse Republika Popullore e Kinës ofron mbështetje me armë zjarri për Rusinë, atëherë ajo do të bëhet bashkëluftëtare në shumë mënyra, dhe se për këtë do të ketë pasoja. Ky pra është një moment shumë shqetësues dhe një hap shumë i madh nëse Presidenti kinez Xi Jinping vendos ta ndërmarrë.

Zëri i Amerikës: A besojnë Shtetet e Bashkuara se Kina po shqyrton dërgimin e armatimeve në Rusi? A shikoni ndonjë evidencë për këtë?

WENDY SHERMAN: Sekretari Blinken e ngriti këtë shqetësim pasi ne e kemi shqetësimin. Ia kemi thënë këtë drejtpërsëdrejti Republikës Popullore të Kinës. E kemi ndarë shqetësimin tonë me shumë vende në mbarë botën dhe u kemi kërkuar t’i bëjnë thirrje Presidentit Xi Jingpin që të bëjë zgjedhjen e duhur.

Zëri i Amerikës: Pra, ju po thoni se ka vërtet tregues se Kina po shqyrton dërgimin e armatimeve vdekjeprurëse për në Rusi?

WENDY SHERMAN: Ajo që po them është se Sekretari Blinken e ngriti çështjen pasi kemi qartazi arsye për t’u shqetësuar.

Zëri i Amerikës: Cili do të ishte objektivi këtu? A shikojnë Shtetet e Bashkuara ndonjë mënyrë për të lehtësuar dhënien fund të këtij konflikti? Për sa kohë do të vazhdojnë Shtetet e Bashkuara të dërgojnë para, armë për këtë luftë që Rusia nuk duket se ka ndonjë prirje për ta përfunduar?

WENDY SHERMAN: Mendoj se amerikanët e shikojnë që ukrainasit po luftojnë vetë. Janë kurajozë. Janë rezistentë. Kanë qëndruar pa drita, pa energji, pa ujë. Prindërve, nënave dhe baballarëve u janë rrëmbyer fëmijët nga Rusia, janë marrë në Rusi, janë ndarë nga familjet e tyre, për t’i “riedukuar si rusë”. Kjo sjell kujtime të tmerrshme nga historia. Dhe nuk ekziston asnjë nënë apo baba në këtë botë që nuk e kupton se sa e tmerrshme është kjo.

Llojet e veprimeve që po ndërmerr Presidenti rus Vladimir Putin u përkufizuan nga Sekretari Blinken dhe nga Nënpresidentja Kamala Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih javën e kaluar, si krime ndaj njerëzimit.

Zëri i Amerikës: Atëherë përse Departamenti i Shtetit nuk e ka përcaktuar Rusinë si një shtet që mbështet terrorizmin?

WENDY SHERMAN: Po i shqyrtojmë të gjitha kanalet e duhura ligjore. Nuk ka dyshim se duhet të ketë llogaridhënie. Dhe ka shumë mënyra për ta arritur llogaridhënien. Jemi të hapur për t’i shqyrtuar të gjitha ato mënyra.

XS
SM
MD
LG