Lidhje

Protesta masive në Izrael kundër tkurrjes së kompetencave të gjyqësorit


Dhjetëra-mijëra izraelitë protestuan të shtunën kundër planeve të qeverisë së ekstremit të djathtë për të bërë ndryshime të thella në sistemin ligjor, tre ditë pasi parlamenti miratoi një projekt-ligj që do t'u mundësonte ligjvënësve të rrëzonin vendime të Gjykatës së Lartë me një shumicë të thjeshtë.

Miratimi i projekt-ligjit në një votim paraprak në Knesset ishte hapi i fundit i koalicionit qeverisës të Benjamin Netanjahut drejt realizimit të ndryshimeve në gjyqësor që po vazhdon, pavarësisht thirrjeve për dialog dhe konsensus nga hebrenjtë amerikanë dhe presidenti i Izraelit, dhe protestat masive javore.

Përveç dobësimit të gjykatës më të lartë të vendit, protestuesit thonë se ndryshimet e propozuara kërcënojnë vlerat demokratike të Izraelit dhe përqendrojnë pushtetin tek koalicioni qeverisës në parlament. Zoti Netanjahu dhe koalicioni i tij qeverisës besojnë se gjykata ka pasur pushtet të pakontrolluar prej vitesh.

Protestat javore janë intensifikuar gjatë tetë javëve dhe sektorë të mëdhenj të shoqërisë dhe bizneseve izraelite u janë bashkuar atyre. Të shtunën, protesta kryesore u zhvillua në Tel Aviv dhe demonstrate të shumta më të vogla u mbajtën në të gjithë vendin.

Protestuesit mbanin flamuj izraelitë, flamurë dhe postera me mesazhe të ndryshme kundër ndryshimeve në kompetencat e gjyqësorit. “Pa Kushtetutë, nuk ka Demokraci”, thuhej në një pankartë. Disa demonstrues qëndruan pas një pankarte ku shkruhej "Ato nuk do të miratohen" dhe "Ne do të triumfojmë”, duke iu referuar votimit.

XS
SM
MD
LG